NGA: ORNELA MANJANI
Ekonomia shqiptare u rrit me 3.2% gjatë tetëmujorit të këtij viti, ndërsa vitin tjetër rritja do të shkojë deri në 3.5%. Papunësia është ulur, konsumi është rritur. Kreditimi për bizneset është i ulët, duke krijuar shqetësim për ekonominë, ndërsa borxhi publik është rritur”. Këto janë të dhënat e raportit të Komisionit Europian për ekonominë shqiptare, të publikuara dje. RAPORTI Komisioni Europian ruajti të pandryshuar në 3.2 për qind vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2016, duke parashikuar që vitin e ardhshëm ajo do të përshpejtohet në 3.5 për qind. Në raportin e fundit për vendet kandidate, Komisioni vëren se rritja ekonomike ka përfituar nga forcimi i kërkesës së brendshme. “Të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme kontribuuan pozitivisht në rritjen e prodhimit kombëtar”, thotë KE.

Komisioni vëren se shpenzimet familjare u përshpejtuan në tremujorin e dytë, duke u rritur me 4 për qind, ndërsa investimet vazhduan të zgjerohen, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë se tremujorët e mëparshëm prej 4.4 për qind. Sipas Komisionit, rritja e prodhimit është shoqëruar me uljen e papunësisë. “Tregu i punës regjistroi një përmirësim për t’u shënuar në prill-qershor, duke përforcuar tendencën pozitive të tremujorëve të mëparshëm”, vlerëson Komisioni Europian. Sipas INSTAT- it, në fund të tremujorit të dytë papunësia zbriti në 15.9 për qind, që përbën nivelin më të ulët në tre vjet. Në lidhje me buxhetin, Komisioni Europian vëren se rritja e të ardhurave dhe shpenzimet e ulëta kontribuuan në një sufiçit buxhetor sa 0.9 për qind e prodhimit kombëtar. Megjithatë, sipas raportit, borxhi publik u rrit, nga 70.4 për qind në tremujorin e parë, në 70.9 për qind në tremujorin e dytë, për shkak të kursit të këmbimit. Por veç borxhit të lartë, një tjetër fushë shqetësuese, sipas Komisionit, mbetet ecuria e ngadaltë e kredidhënies për biznesin si dhe niveli i lartë i kredive me probleme, një tregues ku Shqipëria, së bashku me Serbinë, renditen më keq në rajon.

INVESTIMET
Një raport i fundit i drejtorisë ekonomike të Komisionit Europian konstaton një rritje të investimeve të huaja direkte në Shqipëri në masën 22.4%. Në dokument theksohet se investimet e huaja për tremujorin e fundit përbëjnë 7.1% të PBB-së. E vetmja fushë që mbetet shqetësuese, – konstaton dokumenti, – është ajo që ka të bëjë me kredidhënien për biznesin nga ana e sektorit bankar, që mbetet në nivele të ulëta. Në dokument përmenden zhvillimet kryesore të tremujorit të fundit në Shqipëri, ku si më i rëndësishmi veçohet miratimi i ligjeve të reformës në drejtësi, që sipas Brukselit zyrtar do të sjellë një përmirësim të përgjithshëm të klimës ekonomike.

PARASHIKIMET E QEVERISË
Ministri i Financave Arben Ahmetaj bën të ditur se në tre vitet e fundit, me fokus të vecantë është konsolidimi i financave publike dhe reformat strukturore të cilat kanë bërë të mundur rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik, të reflektuar në uljen e papunësisë dhe shtimin e konsumit e investimeve private. Ahmetaj thekson se ekonomia shqiptare po prodhon cdo dite lajme të mira, sic konfirmohet edhe së fundmi nga rritja ekonomike në tremujorin e dytë me 3.2%, por edhe vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare. “Për herë të parë kemi shënuar balancë primare pozitive ndërkohë që kemi vijuar uljen e borxhit publik” – tha Ministri. “Po kështu, pagimi i detyrimeve të prapambetura, ishte një sakrificë e domosdoshme për financat publike dhe klimën e biznesit. Nuk duhet harruar nga vijmë, në mënyrë që të mos përsërisim gabimet e së shkuarës” – theksoi Ministri pak dirë më parë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: