Komisioni Evropian pritet të paraqesë sot Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në dokumentin përkatës të Komisionit Evropian, ripërcaktohen nga njëra anë detyrimet kryesore që vetë vendet e rajonit duhet të përmbushin, me përqendrim të veçantë në Shtetin ligjor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe mes tyre, ndërsa nga ana tjetër, flet për një angazhim në rritje të vetë Bashkimit Evropian për t’i mbështetur më shumë këto vende në rrugëtimin e tyre, njofton “Zëri i Amerikës”.


Sipas dokumentit të strategjisë, vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian “por jo në kushtet në të cilat ato janë aktualisht”.


Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite, “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare”, duke veçuar tre drejtimet kryesore: sundimin e ligjit, konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin rajonal e pajtimin.


Serbia dhe Mali i Zi janë të vetmet vende të Ballkanit Perëndimor, të cilat në Strategjinë e Komisionit Evropian do të marrin afat të qartë kalendarik për pranim të mundshëm në BE në vitin 2025, ndërsa datat e integrimit evropian të vendeve të tjera të rajonit nuk do të përmenden. Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nga ky dokument do të sigurojnë vetëm perspektivën për integrim evropian, pa afate kalendarike për pranimin e tyre të mundshëm.

“Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në bazë të kushteve të plotësuara. Me përpjekje dhe angazhim të vazhdueshëm, Bosnja dhe Hercegovina mund të bëhet kandidate për anëtarësim. Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane kur të lejojnë rrethanat objektive”, thuhet në Strategji.

I një rëndësie parësore për BE-në konsiderohet “forcimi i ndjeshëm i Shtetit ligjor”.

“Sot, vendet tregojnë elemente të qarta të shteteve ‘të kapura’, përfshirë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe përzierje të fuqishme të interesave publikë dhe privatë”, thuhet në Strategji.

Komisioni Evropian vë gjithashtu në dukje në dokument se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ekziston “ndërhyrje e gjerë politike në media dhe kontroll mbi to”.

Rreth çështjeve të hapura dypalëshe midis vendeve të rajonit, Strategjia thotë se para pranimit të tyre në BE, ato duhet të gjejnë dhe zbatojnë “zgjidhje përfundimtare dhe të detyrueshme”. Komisioni Evropian ka vërejtje konkrete edhe në kapitullin për ekonominë, ku po ashtu thuhet se ka ndërhyrje politike.

(BalkanWeb)