NGA EGLANTINA ALLIAJ*

TIRANË- Komisioni hetimor për emërimet në administratën publike miratoi në mbledhjen e radhës rregulloren. Komisioni u drejtua nga nënkryetari Musa Ulqini, pasi kryetari Genc Pollo nuk ishte i pranishëm. Demokrati Luçiano Boçi kërkoi që gama e hetimeve të kalojë përtej afatit të vendosur për hetim që është 15 shtator 2013 deri në 30 shtator 2015, por edhe emërimet në pushtetin vendor, qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta. Për mazhorancën, ky propozim kërkon miratim nga kuvendi.

Luçiano Boçi: Gama e hetimeve përfshin edhe hetimet nga opozita, prandaj të gjejmë gjuhën e ndërsjellë.

Evis Kushi: Të mos krijojmë precedent për komisionet e tjera hetimore. Rregullorja është e përcaktuar qartë.

Ulsi Manja: Objekt i komisionit edhe 61 bashkitë e reja. Hetimi 15 shtator 2013-30 shtator 2015. Nëse kuvendi e ndryshon vendimin për një hapësirë më të madhe, jemi të gatshëm që ta vendosë seanca plenare.

Luçiano Boçi: Nëse do të ketë kërkesë për shtyrje afatesh, ti drejtojet seancës. Por problemi është tek çështja e opozitës  por jo te favorizimi i opozitës. Ideja është për të krijuar një paritet. Do të bëjmë punë, apo nul pune? Hajde të bashkëpunojmë. Është kauzë e politikës, e mazhorancës dhe opozitës.

Musa Ulqini: Opozita ka mungesa të theksuara në këtë komision, por z.Boçi plotësoi edhe kohën ë kolegëve të tij që mungojnë. Nuk mundet rregullorja të dalë mbi ligjin. Bie dakord që të ndryshojë kjo pikë e ligjit dhe ta zbatojmë. Për afatet s’mund të dalim jashtë atyre, nëse kërkesa e opozitës është shtyrja e afateve, jemi dakord që atë ta vendosë Kuvendi në seancë plenare.

Lidhur me rregulloren opozita kërkoi që në rastin kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vendimi të quhet i miratuar.

Luçiano Boçi: Në rastin kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vendimi të quhet i miratuar dhe jo i rrëzuar. Kjo për ti dhënë një favor opozitës. Jo të rrëzohet, por të pranohet. Pra, kur votimi ndahet në mënyrë të barabartë.

Musa Ulqini: Nenet e rregullores janë copy paste e rregullores së komisioneve hetimore të kuvendit. Jemi të hapur të respektojmë saktësisht objektin e komisionit për problematikën e emërimeve duke mos u kufizuar në hetim. Rregullorja është e njëjta me komisionet e tjera hetimore.

Mazhoranca bën përgjegjëse opozitën për dështimin e komisionit të parë.

Musa Ulqini: Duhet të jetë e gjithë trupa e opozitës. Dështoi komisioni i parë dhe po dështon edhe komisionin e dytë. 57 institucionet që kanë sjellë dokumentet e kërkuara nga komisioni hetimor, për secilin emërim të vijë dosja e plotë.

Luçiano Boçi: Keni lënë shembullin më të keq të tejkalimit të rregullores. S’kam nevojë të dëgjoj komentet tuaja me karakter, se ç’ka ndodhur në komisionin e kaluar, ku unë s’kam qenë fare anëtar. Opozita s’ka braktisur, pasi unë që jam këtu jam si përfaqësues i opozitës. Pollo është në vizitë zyrtare në Bruksel. Ne kemi denoncuar jo 4, por 40 e 400 raste emërimesh në sallën e kuvendit. Kërkova si bashkëpunim mbi politikën dhe pastaj ju dilni me deklarata të tilla. Mos përfitoni nga mundësia që iu dha për drejtimin e komisionit. Këta që mungojnë kanë angazhimet e tyre. Vullneti nuk tregohet vetëm me prezencë, por duke pranuar propozimet tona. Në fund, Komisioni shtyu miratimin e planit të hetimit, pasi mungonin deputetët e opozitës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb