Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 7 tetorit për të rikthyer shëndetësinë në dorën e tyre.
Në një deklaratë nga Kuvendi, Vasili tha se komisioni hetimor për koncesionet në Shëndetësi vazhdon të zhvillojë në mënyrë të njëanshme mbledhje dhe praktikisht është rrëmbyer nga maxhoranca.
“Në momentin e këtij komunikimi së bashku, komisioni hetimor për koncesionet në Shëndetësi vazhdon të zhvillojë në mënyrë të njëanshme mbledhje dhe praktikisht është rrëmbyer nga maxhoranca e cila vazhdon të funksionojë për ta degraduar dhe për të bërë alibinë e grabitjes së madhe që ka ndodhur në shëndetësi. Prej ditësh me dëshmitarë të pamiratuar dhe të pakërkuar që s’kanë asnjë rol në këtë aferë që po hetohet, janë atje për të bërë tymuese, për të hedhur fishekzjarrë propagandistike me qëllim për të mbuluar të vërtetat që janë të shkruara e zeza mbi të bardhë”, tha Vasili.
Ai theksoi se është “shumë e qartë që PPP-të kanë qenë një grabitje e madhe e paparë ndonjëherë në historinë e shëndetësisë së këtij vendi që ka rënë e gjitha mbi kokën e qytetarëve, për të cilën qytetarët përballen me mungesa të mëdha”.
“Edi Rama me të tjerë përpiqen ta hedhin këtë problem mbi mjekët, ndërkohë që të gjithë e dinë që mjekët, infermierët përballen me mungesa shumë të mëdha. Këta të zellshëm që nuk rrinë dot pa bërë komision, në korrik vetëm për të parë futboll nuk mblidhnin komision. Tani që u ka ardhur urdhri politik që minojeni, prisheni komisionin vazhdojnë seancën me dëshmitarë që nuk kanë asnjë lidhje me këtë aferë. Ky shkatërrim, kjo situatë, këto mungesa ekstreme që kanë bërë që shqiptarët të paguajnë qindra miliona euro nga xhepi i tyre”, u shpreh Vasili.
“Pikërisht për këtë situatë kaq të rëndë, janë të zemëruar dhe sigurisht në hall të madh për shpenzimet që bëjnë.
Kjo është një nga arsyet themelore, ndaj dhe për këtë arsye në protestën e 7 tetorit do të protestohet edhe për të rikthyer shëndetësinë në duart e qytetarëve në kuptimin më të mirë të fjalës.
E para të mos grabiten dhe hajdutët të mos fshihen dhe t’u jepet shfajësim dhe alibi politike siç po u jep ky komision tani, paralelisht i rrëmbyer në mënyrë mafioze nga këta për të shkatërruar parlamentin, për të penguar opozitën politike që të hedhë dritë mbi këto afera kaq të rënda”, tha Vasili.
Sipas tij, “janë vënë haptas në favor të grabitqarëve dhe kundër qytetarëve”.