Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj, në emisionin “Open” në News24 përballë një paneli analistësh tha se Komisioni Hetimor parlamentar për konçensionet në shëndetësi në një aspekt po dështon, por në anën tjetër po bën një transparencë lidhur me atë se ku kanë shkuar qindra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë.

Gjekmarkaj tha se i akuzuari kryesor, përgjegjësi kryesor, Kryeministri Edi Rama, nuk i përgjigjet ftesës së Komisionit hetimor.

“Mazhoranca është kthyer në një gardë pretoriane, po mbron Kryeministrin sikundër ka bërë në këto 12 vite. Po mbrohet korrupsioni i Edi Ramës, duket se ky është misioni i atyre deputetëve të mazhorancës që komandohen me urdhër”, tha Gjekmarkaj.

Ai tha se Vokshi ka bërë një punë të madhe në aspektin e transparencës, ashtu sikundër Jorida Tabaku kur drejtoi komisionin për inceneratorët. Gjekmarkaj i konsideroi komisionet hetimore politike, ndërsa theksoi se Kryeministri duhej të paraqitej në komisionin si dëshmitar i thirrur.

Analisti Arion Sulo tha se ajo që po ndodh në Komision është vetëm një propagandë nga ana e socialistëve, të cilët duan që Ilir Beqaj të shfaqet ose me poëer point ose me ato letrat e printuara për të treguar si ka qenë shëndetësia para 2013.

“Duan ta sabotojnë komisionin, duan ta mbyllin. Ilir Beqaj është në burg sot për SASPAK, për fondet e BE-së, për ca dreka e darka, por nuk është për konçensionet në shëndetësi. Pse nuk shkon Edi Rama në Komision të japë përgjigje, të japë llogari”, tha Sulo.

Ndërkohë që analisti Mentor Kikia u shpreh se mazhoranca është në të drejtën e saj, bazuar në ligj, për të pranuar ose jo një dëshmitar të caktuar.

“Por llogaridhënia dhe transparenca janë norma shumë më të forta se sa vetë ligji. Padyshim sistemi i shëndetësisë është sistemi ku vjedhja ka pasojat më të rënda, ka të bëjë me jetën e qytetarëve”, tha Kikia. Ai u shpreh se kemi konçensione në vlera të llahtarshme në krahasim me buxhetin që Qeveria jep për shëndetësinë.

Për analistin Dritan Hila, Albana Vokshi, kryetare e Komisionit Hetimor, nuk është e gatshme që të dëgjojë argumentet, përfshi këtu edhe ato të Ilir Beqajt.

“Nuk ka nevojë që të bullizohet Albana, ajo po bën punën e saj”, tha Gjekmarkaj.

Hila tha se ky komision kërkon të bëjë show e vet dhe asgjë më shumë. “S’mund të bëhen krahasime mes këtij komisioni dhe atij të inceneratorëve, të paktën ai e kishte brenda edhe investigimin. Komisionet janë për gallatë”, tha Hila.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb