Këtë të hënë, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës pranë FSHF-së ka marrë vendimet përkatëse, sa i takon ngjarjeve futbollistike të javës që lamë pas në vendin tonë.
Për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, Presidenti i Laçit, Pashk Laska, është pezulluar me 15 ndeshje. Lojtari i kurbinasve, William Cordeiro është pezulluar me 4 ndeshje (Për sjellje josportive).
Për sjellje të gabuar të spektatorëve, Elbasani është gjobitur me 50 mijë lekë. Në total, janë gjithsej, 6 vendime.
VENDIMET:
AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
FK Bylis, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Lojtari i KF Laçi, Cordeiro Melo William, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i KF Laçi, Pashk Laska, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
Zyrtari i FC Besa, Romeo Bishdili, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
KF Shkumbini U-19, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të kampionatit Kategoria e Dytë U-19, Zona Rajonale Tiranë, kundër Kamza Sport U-19, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.