TIRANE – Komisioni i Disiplinës u mblodh të mërkurën dhe mori në shqyrtim problematikën e hasur në kampionatin kombëtar fundjavën e shkuar. Natyrisht, incidentet mes dy tifozerive dhe shkatërrimi i “Elbasan Arena” gjatë ndeshjes Elbasani-Tirana ka qenë në qendër të punës së këtij organi juridik të FSHF-së.

Pasi ka analizuar dokumentacionin përkatës, Disiplina ka vendosur të dënojë me 6 ndeshje pa tifozë jashtë fushe Tiranën. Ky dënim i bashkohet pjesës së mbetur të dënimit të parë, që erdhi pas dhunës në “Loro Borici” në fazën e parë. Po ashtu, klubi bardheblu është gjobitur me 2 milionë lekë gjobë. Dy klubet, Elbasani dhe Tirana, ngarkohen të zhdëmtojnë gjithë dënim financiar të shkaktuar në stadiumin “Elbasan Arena” nga tifozët. Tirana, njëherazi, nuk ka të drejtë ta konvertojë dënimin me para. Dënim ka edhe për Elbasanin. Verdheblutë duhet të luajnë 6 ndeshje pa tifozë në stadiumin e vet, ndërsa gjobitet edhe me 2 milionë lekë.

Ja vendimi i plotë i Disiplinës
1. KF “Elbasani”, për hedhje të sendeve të forta dhe flakadanëve në fushën e lojës, duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pa tifozë në stadiumin përkatës si dhe me gjobë me vlerë 200.000 (dyqindmijë) lekë, bazuar nenin 66/3.b te KDS. Gjithashtu detyrohet të zhdëmtojë dëmet e kryera nga tifozeria e saj në sektorin përkatës, referuar raportit të hartuar nga administrata e stadiumit “Elbasan Arena”.

2. KF “Tirana”, për hedhje të sendeve të forta dhe flakadanëve në fushën e lojës nga tifozët e saj, duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, si veprim i përsëritur nga ana e tifozerisë së këtij ekipi, dënohet me zhvillimin e 6 (gjashtë) ndeshjeve pa pjesëmarrjen e tifozëve të këtij ekipi në ndeshjet që ky ekip do të zhvillojë si ekip udhëtues, bazuar në nenin 66/3.b te KDS. Ky dënim i shtohet dënimit të dhënë nga ky komision për zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë nga ky klub në fushën e tij. Ekzekutimi i këtij dënimi nga klubet pritëse, do të realizohet duke mos siguruar vendet e përcaktuara në stadium për tifozerinë mike.

3. KF “Tirana”, për hedhje të sendeve të forta dhe flakadanëve në fushën e lojës nga tifozët e saj, duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, si veprim i përsëritur nga ana e tifozerisë së këtij ekipi, dënohet me gjobë me vlerë 200.000 (dyqindmijë) lekë, bazuar nenin 66/3.b të KDS. Gjithashtu detyrohet të zhdëmtojë dëmet te kryera nga tifozeria e saj në sektorin përkatës, referuar raportit të hartuar nga administrata e stadiumit “Elbasan Arena”.

4. Dënimi i dhënë në pikën 2 të këtij vendimi për KF “Tirana”, i shtohet dënimit të dhënë ndaj KF “Tirana” për zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë në fushën e saj dhe si rast i përsëritur i shkeljeve të rënda, bazuar ne nenin 134 te KDS ndalohet konvertimi i këtyre dënimeve sipas nenit 135 te KDS.

5. Lojtari i KF “Elbasani”, Xhulio Jaupi, për provokim të publikut, dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti, bazuar ne nenin 53 te KDS.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: