TIRANE

Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar dekretin e Presidentit, Ilir Meta për buxhetin 2019. I pranishëm në Komision ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se Meta duhet të ndërhyjë për dialogun me studentët.

“Buxheti i vitit 2019 ka të gjitha mundësitë që të furnizojë kërkesat e studentëve. Sot, studentët kanë aleat vetëm qeverinë. Dekreti i Metës, pa asnjë detaj për arsimin. Meta të ndërhyjë për dialog me studentët, kjo është zgjidhja”, u shpreh ai.

“Qeveria ka një ofertë për subvencionim e tarifave të studentëve deri në përjashtimin e tyre. Studentët e ekselencës me mesatare nga 9 deri në 10, tha ai, do t’ju subvencionohet tarifa në masën 100% nga shteti.Gjithashtu edhe 6300 studentë të familjeve në nevojë përjashtohen nga pagesa e tarifës, duke u trajtuar sikurse studentët e ekselencës si dhe do t’ju jepet një bursë prej 10 mijë lekësh në muaj.” vijoi me tej Ministri, ndërsa theksoi se fondi që shkon për mbështetjen tarifore, do të merret nga granti që qeveria adreson për Universitetet, me vlerë 7.4 miliardë lekë.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Kreu i Shtetit ka kthyer ligjin për buxhetin e 2019 serish në Kuvend. Kjo lëvizje e Metës vjen si një mundësi për plotësimit të kërkesave të studentëve që lidhen direkt me buxhetin adresuar për ta.

“Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”, thuhej në njoftimin e presidentit.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb