Komisioni i Ekonomisë ka miratuar 150 milionë lekë për t’ju shpërndarë partive politike për zgjedhjet e 11 majit. Në zgjedhjet e kaluara u shpërndanë 130 milionë lekë.
Fondi u rrit me 20 milionë lekë, për shkak se në këto zgjedhje do të votojë edhe diaspora.
Diskutimi mbi vendimin e Kuvendit për përcaktimin e fondit për subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2025
Mimoza Dhembi, drejtoresha e Buxhetit: Në zbatim të pikës 1 të nenit 88 të Kodit Zgjedhor është përcaktuar se partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 1% të votave në shkallë vendi në zgjedhjet më të afërta pararendëse të të njëjtit lloj përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje.
Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përmban zë më vete në buxhetin e shtetit. Ky fond nuk mund te jetë më pak sesa totali i shumave të shpërndara partive në zgjedhjet pararendëse. Pra sot nga ana juaj ne duam që të merrni vendimin sesa do jetë fondi i fushatës së zgjedhjeve të Majit 2025.
Për informacion në zgjedhjet pararendëse të të njëjtit lloj që janë zgjedhjet e 2021 me vendim të Kuvendit janë akorduar për fushatën e partive politike 130 mln lekë dhe me VKM është miratuar fondi përkatës.
Eduart Shalsi, kryetar i Komisioni të Ekonomisë- Të nderuar koleg, deputet duke qenë se në këto zgjedhje kemi një specifikë që nuk e kemi pasur zgjedhjet e mëparshme do t’i propozoja Kuvendit ta rrisim pak shifrën për shkak të diasporës nga 130 në 150 mln lekë. Jemi dakord që ta rrisim nga 130 në 150? Dakord jeni, mirë miratohet.
(Balkanweb)