TIRANE- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën marrëveshjen e bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj turke e cila do të shërbejë për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.


Marrëveshja e bashkëpunimit financiar ushtarak ka si qëllim dhurimin e një shume në dollarë amerikanë, ekuivalente me 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lira turke, Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.


“Marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak financiar përcakton që shuma e vënë në dispozicion nga qeveria e Republikës së Turqisë do të përdoret për blerjen e pajisjeve dhe të materialeve nga kompani turke që operon në industrinë ushtarake (me të njëjtat kushte cilësore dhe lehtësime financiare që prokurojnë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë), bazuar në nevojat dhe kërkesat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi para deputetëve.


Marrëveshja dhe protokolli do të qëndrojnë në fuqi për 5 (pesë) vjet, deri në përdorimin e plotë të ndihmës financiare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë.
(ma.ar/BalkanWeb)