TIRANË- Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar sot marrëveshjen që bën të mundur përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Bëhet fjalë për ratifikimin e letër-marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes Istisn’a, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB).

Drejtorja e Njësisë së Menaxhimit të Projektit Tiranë-Elbasan, Majlinda Gjonaj tha se projektligji synon ndryshimin e një aneksi të marrëveshjes së huasë për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Në marrëveshje bëhet fjalë për amendimin e njërit prej anekseve që lidhet me komponentët financiarë të saj. “Ka pasur një shtim të donatorit që ka qenë OPEK, së bashku me IDB-në dhe Abu Dabin, ndërsa ndryshimi i komponentëve financiarë vjen pas tenderimit të objekteve”, sqaroi Gjonaj.

Në hollësitë për projektin Gjonaj shpjegoi se ai është i kompozuar në tre kontrata: dy janë segmentë rrugorë dhe i treti është tuneli. “Mbas tenderimit vlerat e projektit kanë rezultuar të ndryshme nga ato që ishin parashikuar nga ato në fazën e përgatitjes së marrëveshjes. Për këtë arsye është bërë letër-amendimi me miratimin e Bankës Islamike, ndërkohë është marrë miratimi edhe nga Këshilli i Ministrave për të bërë ndryshimin i aneksit të marrëveshjes”, sqaroi drejtoresha e projektit, Gjonaj.

Duke u ndalur në zbatimin e projektit, Gjonaj tha se segmenti i parë i rrugës ishte vënë në funksionim ende pa përfunduar. Ndërsa shpjegoi se synohet që shumë shpejt të përfundojë ky segment.

Në kuadër të uljes së vlerës totale të projektit, nga financimi prej 100 milionë dollarësh që mendohej të sigurohej nga fondi i Abu Dhabit për zhvillim, u akordua vetëm vlera prej 50 milionë dollarësh. Kontributi i qeverisë dhe kreditorëve të tjerë të mundshëm, që ishte parashikuar në vlerën prej 84.3 milionë dollarësh, nevojitet të rregullohet, duke reflektuar kredinë e akorduar nga fondi i OPEC-ut prej 20.4 milionë dollarë dhe kontributi i qeverisë, prej 7 milionë dollarësh.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb