TIRANË- Komisioni i ekonomisë po zhvillon sot një seancë dëgjimore me grupet e interesit për paketën fiskale 2016. Përfaqësuesit e biznesit janë shprehur kundër rritjes së akcizë së birrës. Luan Bregasi, kreu i Biznes Albania tha se taksat vendore janë shumë të larta krahasuar me vendet e rajonit.

“Ne jemi dakord për formalizimin e ekonomisë por mbetemi të mendimit për një raport sa më të drejtë. U bë shumë mirë që u la një periudhë vetë rregullimi deri në 31 dhjetor por biznesi do të detyrohet të paguajë tatim fitimin mbi xhiron. Taksa vendore mendoj se janë shumë të larta krahasuar me vendet e rajonit. Sidomos kjo taksë është e lartë për fasonët”, tha Bregasi. Ai u ndal edhe tek rritja e akcizës së birrës që sipas tij rrit koston për konsumatorët e investitorët.

Edhe Stefan Pinguli, përfaqësues i prodhuesve të birrës u deklarua kundër rritjes së akcizës për birrën vendase.

“Rritja e akcizës për birrën tonë dëmton prodhimin. Shteti të mbrojë më shumë prodhimin vendas”, tha Pinguli.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë Nikolin Jaka është shprehur pro heqjes së taksave të biznesit të vogël por kundër ndryshimit të fashës së TVSH-së, pasi sipas tij rrit informalitetin. “Jemi pro heqjes se taksave për biznesin e vogël. Por jo ndryshimin e fashës se TVSH-së se rrit informalitetin”, tha Jaka.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb