BRUKSEL- Komisioni i Jashtëm të Parlamentit Europian miratoi sot 192 amendamentet e draft-rezolutës së raportuesit Knut Fleckenstein për Shqipërisë. Rezoluta e Fleckenstein për Shqipërinë u miratua me 51 vota pro dhe 3 kundër.

Rezolutës së raportuesit Knut Fleckenstein iu shtuan disa amendamente të propozuara. Dokumenti final pritet të miratohet në seancën plenare të radhës në Strasburg që do të zhvillohet në datat 27-30 prill.

Ndërkaq raportuesi i Parlamentit Europian, Knut Fleckenstain, ditën e djeshme teksa prezantoi raportin ngriti shqetësimin mbi tensionin dhe konfliktualitetin politik në vend. Megjithatë, ai ftoi kolegët të mbështesin procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë.

Ndër 192 amendamente të grumbulluara gjithsej mbi draftin për Shqipërinë, propozuar nga raportuesi Knut Fleckenstein, grupimet kryesore politike të Parlamentit Europian janë pajtuar për të përmbledhur pjesën dërrmuese të tyre në 16 amendamente kompromisi, duke rrëzuar kryesisht disa propozime të liberalëve lidhur me gjakmarrjen dhe median, e veçanërisht amendamentet e ekstremistëve të djathtë kundër integrimit.
Hapja e negociatave të anëtarësimit do të ishte një nxitje dhe do të zhvillonte më tej reformat, duke ofruar një perspektivë të besueshme dhe të prekshme të BE-së”, nënvizohet në këtë dokument.

“Por, suksesi i agjendës së reformave varet fuqishëm nga ekzistenca e një mjedisi politik demokratik”, thuhet më tej, “duke kërkuar nga mazhoranca dhe opozita që të ushtrojnë plotësisht përgjegjësitë e tyre politike dhe të jenë në gjendje për të pranuar kompromise, çfarë do të rriste besimin e qytetarëve tek institucionet publike”.

“PE është i shqetësuar për polarizimin e vazhdueshëm politik që vijon në Shqipëri, i cili do të mund të rrezikojë përpjekjet e mëtejshme të integrimit në BE”, teksa kujton koalicionin qeverisës dhe opozitën “mbi përgjegjësinë e tyre të përbashkët ndaj qytetarëve për një dialog të qëndrueshëm, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik që lejon miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe”.

Një administratë e pavarur dhe profesionale kërkohet në nivel qëndror, lokal, por dhe për organet zgjedhore. Legjislativi europian kujton përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR në prag të zgjedhjeve të 21 Qershorit.

“Mirëpret nisjen e zbatimit të ligjit për Shërbimin Civil dhe bën thirrje për zbatimin e duhur të tij që të rrisë kapacitetet administrative, depolitizimin e administratës dhe për të luftuar korrupsionin në shërbimin civil, për të forcuar meritokracinë për emërimet, promovimet e shkarkimet, për të rritur eficencën, transparencën dhe llogaridhënien”, vijon dokumenti.

Sundimi i ligjit dhe reforma e gjyqësorit mbeten të rëndësishme.

“Theksohet nevoja për të forcuar sundimin e ligjit dhe reformën e gjyqësorit, për të siguruar besimin e qytetarëve dhe të biznesit në sistemin e drejtësisë; përshëndet angazhimin e Shqipërisë ndaj reformave gjyqësore, por ende shpreh keqardhjen për mangësi të vazhdueshme në funksionimin e sistemit gjyqësor, të tilla si politizimi dhe llogaridhënia e kufizuar, niveli i lartë i korrupsionit, burimet e pamjaftueshme dhe prapambetjet”, nënvizohet në dokument.

Vlerësohen masat e marra të sigurisë për trajtimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj, kundër terrorizmit e radikalizimit, por mbetet sfida për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e droges.

“Ndërsa njeh suksesin e operacioneve të fundit të policisë, fton Shqipërinë të zhvillojë një qasje strategjike gjithëpërfshirëse dhe të marrë masa për të hequr barrierat ndaj rendimentit të hetimeve, në mënyrë që të krijojë një dëshmi provash për hetime, ndjekje dhe dënime në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet”.

Në kompromiset e eurodeputetëve përmendet dhe pavarësia e medias, e autoritetit rregullator të saj, si dhe mjedisi i lirë i punës për gazetarët. Vendit i kërkohet të përpilojë një strategji kombëtare për energjinë dhe PE mendon se Shqipëria duhet të investojë më shumë në projektet e energjisë së rinovueshme e të infrastrukturës. Vendi ftohet të përshtasë Direktivën e BE-së që synon ekologji dhe gjendje të mirë kimike për të gjitha sipërfaqet ujore natyrale.

Amendamenti i fundit i arritur me kompromis flet për rolin ndikues të Shqipërisë në rajon, veçanërisht për Kosovën e Maqedoninë, por Tirana “ftohet të marrë pjesë në mënyrë aktive për të zbatuar strategjinë adriatiko-joniane të BE-së”. Draft-rezoluta pritet të pësojë disa ndryshime, pas debatit të së hënës në Komitetin e Jashtëm euro-parlamentar.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/04/1041806en.pdf” viewer=”google”]

S&D GROUP: VOTIMI ME SHUMICË, MESAZH PËR SHQIPËRINË
Ora 11:17- Pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë ka reaguar menjëherë edhe Grupi Social Demokrat në PE. Ata inkurajonë Shqipërinë të ecë përpara me reformat si dhe të garantojë konsensus politik.

“Miratimi i sotëm i Raportit të Progresit 2014 për Shqipërinë, me shumicë të fortë sh në Komitetin për Punët e Jashtme, dërgon një mesazh të qartë në favor të aspiratave të Shqipërisë për integrimin e mëtejshëm europian.

Për raportuesin Knut Fleckenstein dhe grupin S&D është gjithashtu e qartë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE sjell kontribut edhe në demokracinë dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit në tërësi.

Grupi S&D dhe raportuesi i PE për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, shtojnë se:
“Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti qershor 2014. Procesi i zgjerimit shqiptar përforcon rrugën e vendit në prosperitet dhe demokraci, si dhe kontributin e saj për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

“Ne ftojmë Përfaqësuesit e Lartë dhe Komisionin Evropian për të vazhduar angazhimin e tyre, që të punojnë në favor të së ardhmes europiane të Shqipërisë, duke e inkurajuar vendin të vazhdojë me reformat e tij ambicioze si dhe të sigurojë zbatimin e tyre efektiv”.

“Ne i bëjmë thirrje Shteteve Anëtare të BE-së që të respektojë angazhimet e tyre politike drejt Shqipërisë si vend kandidat, duke ofruar një perspektivë reale për një të ardhme brenda BE-së”.

“Shqipëria ka identifikuar në mënyrë të qartë sfidat kryesore në mënyrë që të bëhet vend anëtar në BE. Prandaj unë inkurajoj Shqipërinë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për reformën e administratës publike, reformën e gjyqësorit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave themelore, për të hapur negociatat e anëtarësimit sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Me qëllim avancimin e mëtejshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE, vendi do të duhet të ketë një bashkëpunim efektiv ndërmjet të gjitha partive politike, në qeveri dhe opozitë. Një dialog konstruktiv politik dhe një përzgjedhje e drejtë politike, kur bëhet fjalë për idetë dhe konceptet më të mira do të jetë përcaktues për qëndrueshmërinë e të gjitha reformave. ”

“Në fund të fundit, suksesi afatgjatë i çdo reforme mund të gjykohet vetëm nga ndryshimet pozitive që janë ndjerë nga qytetarët në jetën e tyre të përditshme. Është e qartë se Shqipëria, si çdo vend tjetër kandidat, duhet të gjykohet mbi meritat e veta.”

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: