Zyra e OSBE-së në vendin tonë ka përshëndetur zgjatjen e punimeve të Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe inkurajon që të vijohet me përmirësimin e legjislacionit, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

“Zgjerimi i objektit të punës të Komisionit, për të filluar diskutimet lidhur me ndryshime thelbësore të sistemit zgjedhor, është një shenjë gatishmërie për të menduar më thellë për përmbushjen e nevojave dhe synimeve të shqiptarëve për demokracinë e tyre”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.

OSBE nxit Komisionin të përmirësojë legjislacionin sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të bëra pas zgjedhjeve të viteve 2013, 2015 dhe 2017, si dhe e siguron Komisionin për gatishmërinë për të mbështetur me ndihmë teknike rishikimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri.

Kujtojmë që afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore u zgjat me një muaj dhe u miratua me 75 vota pro, 15 kundër dhe 4 abstenim nga Kuvendi. Afati i parashikuar nga legjislacioni për punën e Komisionit Zgjedhor është deri në datën 16 maj 2019. Komisioni i Reformës Zgjedhore, tashmë do të ketë 12 përfaqësues.

Ish-ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, i deleguar nga Partia Socialiste për çështjet zgjedhore ka thënë se Reforma Zgjedhore do të jetë e vlefshme për zgjedhjet parlamentare 2021.

DEKLARATA E PLOTE E OSBE
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore. Zgjerimi i objektit të punës të Komisionit, për të filluar diskutimet lidhur me ndryshime thelbësore të sistemit zgjedhor, është një shenjë gatishmërie për të menduar më thellë për përmbushjen e nevojave dhe synimeve të shqiptarëve për demokracinë e tyre. Ne nxitim Komisionin të përmirësojë legjislacionin sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të bëra pas zgjedhjeve të viteve 2013, 2015 dhe 2017, si dhe e sigurojmë Komisionin për gatishmërinë tonë për të mbështetur me ndihmë teknike rishikimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb