Komisioni i Venecias del kundër qeverisë për projektligjin që ka të bëjë me tokat bujqësore dhe titujt e akteve të marrjes së tokës në pronësi. Venecia e ka hedhur poshtë projektligjin duke i sugjeruar Kuvendit disa korrigjime në draft.

Në vërejtjet e Komisionit të Venecias, janë paqartësia e draftit dhe hapësira rregulluese. Opinioni i Komisionit të Venecias ishte kërkuar nga kreu i Parlamentit Gramoz Ruçi pasi drafti krijoi debate të forta.

Kuvendi i kërkonte opinion Komisionit të Venecias për nenet 7 dhe 9 nëse binin ndesh me të drejtat e njeriut dhe pikërisht këtu ekspertët e Venecias evidentojnë probleme.

“Projektligjit në versionin e tij aktual i mungon qartësia dhe saktësia për shkak të mungesës së përkufizimeve dhe fuqisë rregulluese shumë të gjerë për Këshillin e Ministrave, mungesës së hapave themelorë proceduralë dhe afateve të përcaktuara qartë për mbajtësit e titujve.
Ekziston një rrezik i lartë që p/ligji të mund të krijojë probleme pajtueshmërie me nenin 1 të Protokollit të Parë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe dispozita të tjera, si dhe me Kushtetutën shqiptare. Në veçanti, Nenet 7 dhe 9 të p/ligjit janë në thelb të paqarta dhe të pasakta, prandaj mbajnë një rrezik të lartë që zbatimi i tyre do të çojë në shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, deklaron Komisioni i Venecias.
Komisioni fton ligjvënësit shqiptarë të rishikojnë draftin dhe sjell edhe disa rekomandime.
Përcaktoni natyrën deklaruese të aktit të regjistrimit të titujve, veçanërisht AMTP, në projektligj.
Të rishikojë nenet 7 dhe 9 dhe artikujt në lidhje me to, duke marrë parasysh që titujt bujqësorë në formën e AMTP si dhe përdorimi i vazhdueshëm i tokës me shpresën e ligjshme për t’u pajisur me AMTP përbëjnë pronë të mbrojtur sipas nenit 1 të protokollit 1 të KEDNJ.
Të përcaktojë në vetë p/ligjin mangësitë që parandalojnë vërtetimin e AMTP-ve, si dhe të kufizojë hapësirat rregulluese në dispozicion të Këshillit të Ministrave në nivelin strikt të domosdoshëm.

Të parashikohen në p/ligj afate të sakta për mbajtësit e titujve dhe hapat themelorë procedural, veçanërisht kur lidhen me transferimin e titujve të pronave bujqësore.
Të përfshijnë në p/ligj përcaktimet thelbësore për titujt e pronave bujqësore.
Të përcaktohen në p/ligj rregullat për paraqitjen e provave, aksesin në prova dhe të drejtën për t’u dëgjuar para vendimit të autoriteteve për të shpallur të pavlefshëm AMTP.
Të zhvillohen konsultime publik me të gjitha palët e interesuara.
Gjatë takimeve në Tiranë, Komisioni thekson se është vënë në dijeni edhe mbi problemet e zbatimit të ligjit të vitit 2015 për kthimin dhe kompensimin e pronave.
CITIM Anëtarët e delegacionit krijuan përshtypjen se edhe pse kthimi në natyrë (i tokës në pronësi të mëparshme) është parashikuar në ligj, edhe kur ka qenë e mundur, institucionet përgjegjëse do të zgjidhnin më shumë opsionin e kompensimit, duke mbajtur shpesh tokën në dispozicion si pronë e shtetit për t’u përdorur për programet shtetërore.
Opinioni në fjalë pritet të miratohet nga Komisioni i Venecias në sesionin plenar të 11 tetorit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb