Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) u dorëzoi autoriteteve shtetërore dy raportet e para të përputhjes së ADN-së një vit pas marrëveshjes së bashkëpunimit për të identifikuar kundërshtarë politikë të diktaturës komuniste.

Dy raportet e sotme të ADN-së janë vetëm fillimi i procesit përballë qindra e mijëra personave të humbur gjatë kohës së diktaturës disa dekada më parë, dhe sot presin lëvizjen e prokurorisë për t’i gjetur me kërkime konkrete në terren.

Projekti pilot i ICMP-së, i financuar nga Bashkimi Europian, po zbatohet në malin e Dajtit dhe në kampin e Ballshit për identifikime të viktimave të komunizmit përmes ADN-së.

“Familjet e mbi 6 mijë personave të humbur gjatë regimit komunist ende edhe sot presin përgjigje shumë kohë pas regjimit komunist dhe tranzicionit të demokracisë. ICMP ka nisur një projekt të mbështetur nga BE-ja për të ndihmuar autoritetet shqiptare që të plotësojnë detyrimet ndaj atyre familjeve” – tha Matthew Holliday, shef i programit të ICMP-së për Ballkanin Perëndimor.

Ai shtoi se kur projekt nisi kishte një mosbesim të përgjithshëm se si mund të identifikoheshin personat e humbur pas disa dekadash, ndërsa janë gati dy raportet e para me identifikim ADN-je.

“Këto raporte mundësojnë identifikimin nga autoritetet të dy personave të humbur gjatë periudhës komuniste dhe kthimin e trupave të tyre pranë familjeve për të kryer nderime me dinjitet” – tha zoti Holliday.

Ndërsa zëvendës-ministrja e punëve të brendshme, Rovena Voda theksoi nevojën që rezultatet e këtij procesi të jenë më të mëdha.

“Rezultatet e deritanishme janë modeste, por unë iu premtoj se ato do të shtohen brenda një kohe të shkurtër. Bashkëpunimi midis institucioneve do të thellohet për të kryer një punë voluminoze të zvarritur në dekada” – tha zonja Voda.

Mbi 600 familje kanë bërë deri tani deklarata për humbjen e të afërmve të tyre gjatë regjimit komunist, ndërsa qytetarë të ndryshëm kanë dhënë informacione për 37 vend-varrime gjatë diktaturës.

“Takimi i sotëm tregon respektin e thellë që kemi për secilën viktimë të regjimeve totalitare. BE është e nderuar që u bë pjesë e këtij projekti dhe së bashku me autoritetet dhe gjithë vendet anëtare të sigurohemi që secili prej viktimave të kujtohet, duke u siguruar që krime të tilla kundër njerëzimit dhe ato shkelje sistematike të të drejtave njerëzore të mos harrohen dhe të garantojmë që ato krime mos përsëriten më” – tha Monika Bylaite, Zëvendës Shefe e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Projekti i ICPM nisii vetëm në dy pika në Dajt dhe në Ballsh dhe po ndihmon autoritetet të përmbushin detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut ndaj familjeve të personave të humbur gjatë periudhës së diktaturës komuniste. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb