TIRANË- Kompania “Sicilsaldo SpA”, e drejtuar nga Angelo Brunetti deri në vitin 2008, kohë kur ia pasoi detyrën djalit të tij Emilio, fitoi kontratën së bashku me kompaninë shqiptare “Gener 2”, për përgatitjen e infrastrukturës që do të sjellë gazin natyror nga Azerbajxhani.

Por emri i kompanisë është i njohur për hetuesit italianë. Siç raportojnë mediat italiane, konkretisht, në një artikull të shkruar nga Claudia Campese, në “meridionews.it”, emri i Angelo Brunetti, pronar i “Sicilsaldo Ltd” deri në 2008, është një emër i njohur në shumë nivele.

Edhe pse Brunetti, në vitet që kryesonte “Sicilsaldo”, nuk ka qenë kurrë i dënuar apo akuzuar, në vitin 2007 ai u hetua nga Departamenti i Hetimeve Anti¬Mafia të Caltanissetta për favorizim të mafies. Por kjo çështje shkruajnë mediat, u arkivua më pas. Edhe tri herë të tjera, ai është paraqitur si viktimë e zhvatjes së mafies, por që sipas avokatëve dhe prokurorëve, ai asnjëherë nuk ka denoncuar këto shantazhe të bëra nga ana e “Cosa Nostra”¬s.

Nga hetimet e kryera për procesin “Ibilis”, ku provohen lidhjet e bizneseve, politikës dhe mafies, ka rezultuar se Angelo Brunetti i ka dhënë 50 milionë lireta Franco Costancos, i dënuar në këtë proces me 11 vjet e 8 muaj burg për lidhje me mafien. Po ashtu, ai i ka dhënë 60 mijë euro të tjera Alfio Mirabiles, anëtar i familjes mafioze Santapaola, dhe 15 mijë euro të tjera Rosario Di Dios, i dënuar me 20 vite burg dhe i njohur si një nga bosët lokalë të mafies. Në një hetim tjetër, Brunetti citohet të ketë paguar më shumë se 100 mijë euro për pjesëtarë të Cosa Nostra që nga viti 2003.

Faktet në disa hetime të kryera në Siçili, e kanë lidhur emrin e tij me “Cosa Nostra”¬n, si një mbështetës dhe i nënshtruar i saj. Por nga ana e tij, Brunetti ka deklaruar se ka paguar për të qenë i qetë. Prokurorët gjithnjë kanë ngritur dyshimet se Angelo Brunetti, asnjëherë nuk ka thënë të vërtetën mbi lidhjet e tij me këta persona. Tani “Sicilsaldo SpA” është zgjedhur së bashku me shoqërinë shqiptare “Gener 2” Sh.P.K, të vëllezërve Bashkim, Ahmet dhe Astrit Ulaj ‘për ndërtimin dhe përmirësimin e rrugëve hyrëse në Shqipëri. “Gener 2” dhe “Sicilsaldo” do të merren me “më shumë se njëqind kilometra rrugë përgjatë rrugës së tubacionit, ndërtimin të dy urave të reja dhe përmirësimin e 50 urave ekzistuese,¬ mbyllet artikulli i “meridionews.it.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb