Kina po vrapon me shpejtësi në inteligjencën artificiale dhe po tremb Amerikën. Në pak ditë startapi kinez i inteligjencës artificiale DeepSeek është më i shkarkuari në telefonat në SHBA duke tejkaluar Chat-GPT. Aplikacioni që shkarkohet dhe funksionon falas, është krijuar me një investim të papërfillshëm prej vetëm 6 milion dollarësh, ndryshe nga miliardat që shpenzojnë gjidandët e teknologjisë amerikane.

Vëmendja e tërhequr nga programi i inteligjencës artificiale të krijuar nga kompania e re kineze e teknologjisë DeepSeek trazoi tregjet e aksioneve këtë fillim jave dhe ndezi debate mbi konkurrencën ekonomike dhe gjeopolitike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale.

Programi ndihmës i kësaj kompanie u bë të hënën aplikacioni nr. 1 i shkarkuar në telefonat iPhone të kompanisë Apple, i nxitur nga kurioziteti për këtë konkurrent të programit ChatGPT. Një pjesë e shqetësimit për disa vëzhgues të sektorit amerikan të teknologjisë është ideja se një kompani e re kineze mund t’i arrijë kompanitë amerikane në krye të novacionit për inteligjencën artificiale, me shumë më pak kosto.
Kjo, nëse është e vërtetë, vë në pikëpyetje shumat e mëdha të parave që kompanitë e teknologjisë amerikane thonë se planifikojnë të shpenzojnë në qendrat e të dhënave dhe mikroqarqet kompjuterikë që nevojiten për të mbështetur përparimet e mëtejshme për inteligjencën artificiale.
Aksionet e teknologjisë ranë dhe prodhuesi i çipave ”Nvidia” pësoi rënie prej gati 18% deri të hënën në mbrëmje, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump paralajmëroi se shfaqja e DeepSeek ishte një “thirrje zgjimi” për gjigantët ekzistues të IA.
Rënia e çmimit të aksionit të “Nvidia” shënoi humbjen më të madhe njëditore në vlerën e tregut në Wall Street, prej rreth 589 miliardë dollarësh.
Por “Nvidia” një deklaratë përgëzoi punën e kompanisë DeepSeek si “një avancim i shkëlqyer i inteligjencës artificiale” që përdori “modele dhe përllogaritje të disponueshme gjerësisht që janë plotësisht në përputhje me kontrollin e eksportit”

Kompania e re DeepSeek u themelua në vitin 2023 në Hangzhou, Kinë dhe nxori modelin e saj të parë të inteligjencës articiale më vonë atë vit.

Ajo filloi të tërhiqte më shumë vëmendje në industrinë e inteligjencës artificiale muajin e kaluar kur nxori një model të ri të inteligjencës artificiale, për të cilin mburrej se ishte në të njëjtin nivel me modelet e ngjashme të kompanive amerikane, si programi ChatGPT i kompanisë OpenAI, dhe se ishte me kosto më efektive në përdorimin e mikroqarqeve të shtrenjtë të kompanisë Nvidia për ta trajnuar sistemin me sasi të mëdha të dhënash. Aplikacioni i kompanisë kineze u bë më i disponueshëm kur u shfaq në platformat e aplikacioneve të kompanive Apple dhe Google në fillim të këtij viti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb