Nga: JETON SELIMI *
Dashuria kineze për Partizanin u bë realitet në ditët e para të janarit, ndonëse në media është folur që një vit më parë për një marrëveshje të mundshme të presidentit Gazmend Demi dhe të një kompanie kineze me qendër në Hong-Kong. Klubi i kuq vetëm dje ka bërë zyrtarizimin e arritjes së marrëveshjes, ndërsa për konferencën e rastit tifozët e kuq dhe opinioni sportiv duhet të presë ende disa ditë. “Sot (dje) u arrit marrëveshja me sponsorin e huaj zyrtar të KF.Partizanit, drejtorin ekzekutiv të kompanisë prestigjioze ‘GGF Globe’, z.Jackey Cheung nga Hong-Kongu. Presidenti Demi dhe z.Jackey Cheung arritën akordin mes tyre për një bashkëpunim afatgjatë në mbështetje të 15 herë kampionëve të vendit”, lexohet në komunikatën e klubit të kuq, një komunikatë e shkurtër dhe që nuk sqaron as llojin e biznesit të kompanisë kineze dhe as shifrat e këtij sponsorizimi.
Gjithsesi, lajmi për këtë lidhje të Partizanit me biznesin kinez, nuk është i ri. Rreth një vit më parë, mediat publikuan lajmin se sponsorë nga Lindja e Largët ishin interesuar për të investuar në Shqipëri dhe një nga shënjestrat e tyre ishte edhe futbolli. Partizani shikohej si klubi më i favorizuar, duke qenë se në vitet ’70, “Demat e Kuq” të drejtuar nga Loro Boriçi zhvilluan disa turne në Kinë.
Shifrat
Për momentin nga ana e klubit të kuq nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me shifrat e këtij sponsorizimi, ndërsa njoftimi është limituar vetëm në arritjen e kësaj marrëveshjeje, madje pa dhënë asnjë përcaktim të saktë kohor. Gjithsesi, burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije se kompania kineze do të investojë një shumë prej 10 milionë eurosh, e cila do të përfshijë dhe ambientet e reja që Partizani ka në projekt.
Investimi
Synimi bazë i drejtuesve të Partizanit është kompleksi i ri i skuadrës. Siç dihet, Partizani nuk ka më një klub të tijin, pasi ish-fushat e të kuqve iu kthyen pronarëve 5 vite më parë, duke i lënë 15 herë kampionët që të enden nëpër Tiranë e rrethina për të gjetur një ambient për stërvitje. Sipas lajmit të publikuar te “Gazeta Shqiptare” dy javë më parë, Ministria e Mbrojtjes po krijonte hapësirat e ne-vojshme tek ish-Shkolla e Bashkuar për klubin e kuq. Një dikaster i tërë i MB-së po shpërngulet nga godina ngjitur me fushat sportive tek ish-Shkolla e Bashkuar, ndërsa ambientet e reja janë të destinuara për klubin e kuq. Presidenti Demi deklaroi në shkurtin e vitit të shkuar se marrja e ambienteve sportive tek ish-Shkolla e Bashkuar ishte tashmë një çështje burokratike, por me sa duket, më shumë sesa burokracinë e zakonshme të zyrave dhe letrave, presidenti i të kuqve paska pritur arritjen e kësaj marrëveshjeje sponsorizimi, e cila duket se ka mbajtur peng kompleksin e ri, ndërsa në zërat e korridoreve, është diskutuar madje edhe për një stadium të tërë në pronësi të Partizanit.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: