Franca ka shprehur shqetësimin për vendimin e fundit të kompanisë së teknologjisë Meta për të rivlerësuar rolin e kontrollit të fakteve në frenimin e dezinformatave, duke paralajmëruar se ndryshimi, aktualisht i kufizuar në SHBA, mund të ketë ndërlikime më të gjera.
“Franca mbetet vigjilente dhe e përkushtuar për të siguruar që Meta, së bashku me platformat e tjera, të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit evropian, veçanërisht Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA)”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Francës.
DSA-ja, e cila hyri në fuqi në vitin 2024, kërkon që platformat e teknologjisë të marrin përgjegjësinë për përmbajtjen që shpërndajnë. Zyrtarët francezë e përshkruan këtë legjislacion si thelbësor për mbrojtjen e demokracisë së Bashkimit Evropian (BE) si dhe për mbrojtjen nga ndërhyrjet e huaja dhe fushatat e dezinformimit.
“Liria e shprehjes, një e drejtë themelore në Francë dhe Evropë, nuk duhet të ngatërrohet me një të drejtë për viralitet”, tha ministria franceze, duke paralajmëruar se përhapja e pakontrolluar e informacionit të paverifikuar mund të minojë proceset demokratike.
Franca vlerësoi përpjekjet e mëparshme të kompanisë Meta për të luftuar dezinformimin, përfshirë bashkëpunimin e saj me kontrollues të pavarur të fakteve gjatë zgjedhjeve evropiane të vitit 2024 për të garantuar integritetin zgjedhor.
Megjithatë, ministria franceze shprehu shqetësime se vendimi i kompanisë së teknologjisë për të rishikuar këto masa në SHBA mund të krijojë një precedent që prek rajone të tjera.
Meta deri më tani nuk i ka komentuar kritikat e Francës.
Balkan Web