Gjykata do të dëgjojë argumentet të enjten në lidhje me hapat e ardhshëm për padinë federale ndaj ish-Presidentit Donald Trump për përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve. Kjo do të jetë seanca e parë dëgjimore në gjykatë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë se ish-presidentët gëzojnë imunitet të gjerë nga akuzat penale.

Gjykatësja Tanya Chutkan mbikëqyr këtë çështje gjyqësore që bazohet tek akuzat se ish-Presidenti Trump komplotoi për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, përpara sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021. Ish-Presidenti Trump nuk pritet të jetë i pranishëm dhe nuk ishte e qartë nëse gjykatësja Chutkan do të merrte një vendim të enjten.

Ekipi i prokurorit të posaçëm Jack Smith paraqiti një padi të re javën e kaluar, nga e cila ishin hequr disa nga akuzat që ishin ngritur më parë ndaj ish-Presidentit Trump, duke zbatuar kështu vendimin e marrë nga Gjykata e Lartë në lidhje me imunitetin. Ekipi i prokurorëve ka thënë gjithashtu se janë të gatshëm të paraqesin një dokument me pikëpamjet e tyre ligjore se si mund të zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë tek çështja në fjalë.

Avokatët mbrojtës kanë thënë se do të paraqesin disa kërkesa për pushimin e çështjes, ndër to edhe një kërkesë që mbështetet tek vendimi i gjykatëses në Florida se emërimi i prokurorit Smith ishte antikushtetues. Asnjë nga palët nuk pret që të arrihet deri në mbajtjen e gjyqit përpara zgjedhjeve të nëntorit, në veçanti për shkak të volumit të punës ligjore që duhet bërë. Gjykatëses Chutkan i duhet tashmë të vendosë se cilat prej neneve të akuzave mund të vazhdojnë të jenë pjesë e padisë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin.

Gjykata e Lartë vendosi në korrik se ish-presidentët gëzojnë imunitet absolut për ushtrimin e funksioneve të tyre themelore kushtetuese dhe se konsiderohen me imunitet nga hetimet për veprimet zyrtare. Ekipi i prokurorit Smith reagoi duke rishikuar padinë, nga e cila u hoqën referencat ndaj përpjekjeve të ish-Presidentit Trump për të përdorur kompetencat ligjzbatuese të Departamentit të Drejtësisë, për të qëndruar në pushtet – një aspekt për të cilin Gjykata e Lartë tha se ish-Presidenti Trump gëzon imunitet.

Kjo çështje gjyqësore bazohet tek një nga dy paditë federale që u ngritën ndaj ish-Presidentit Trump. Padia e dytë e akuzonte ish-presidentin për marrjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago, Florida. Kjo padi u rrëzua në muajin korrik nga gjykatësja Aileen Cannon, e cila u shpreh se emërimi i prokurorit të posaçëm Smith ishte i paligjshëm.

Ekipi i prokurorit Smith e ka apeluar këtë vendim. Avokatët e ish-Presidentit Trump thonë se do t’i kërkojnë gjykatëses të rrëzojë edhe padinë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, bazuar në të njëjtin arsyetim./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb