Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Eneda Tarifa me këngën e saj “Përrallë” u shpall fituese e Festivalit të 54-rt të Këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar, nga një juri e përbërë nga shtatë anëtarë, të cilët e përzgjodhën atë përmes një votimi të mbyllur.

Ky edicion, ka kaluar andrallat e veta. Prej muajit tetor kur u bën publikë emrat e këngëtarëve pjesëmarrës, në media u hodhën dyshime se fituese do të ishte Eneda, për shkak të bashkëpunimit dhe miqësisë së saj me Elton Dedën, drejtor artistik i festivalit sivjet. Nga palët nuk pati reagim, anipse, me marrjen e detyrës, Deda qe shprehur: “Nuk kam qenë, as nuk do të jem kurrë vegël e asnjë ndërhyrjeje, apo miklimi monetar e shoqëror, përveçse skllav i përjetshëm i muzikës së mirë e të ndershme”, pra pak a shumë: mos më fusni miq. Mbas fitores së Enedës, në rrjetet sociale, artikujt e tetorit u rishpërndanë.

Nga ana e RTSH-së nuk ka ende asnjë reagim, as nga z. Deda. “GSh” kontaktoi vetë fituesen Eneda Tarifa, por nuk arritëm dot të realizonim një intervistë për shkak të angazhimeve. “Ndihem si mbretëreshë; po jetoja në një ëndërr dhe ajo u realizua. Dua të bëj më të mirën për të prezantuar Shqipërinë si duhet. Dua të falënderoj këdo që ka punuar për këtë projekt, dhe që do të punojë në të ardhmen për të arritur cilësinë më të mirë”, – ka thënë ajo për “Eurovision TV”.

Dasi fetare, gafë apo lapsus?
Përtej fituesit, problemi më i madh i këtij viti, ai pra që ka fituar më shumë vëmendje është skenari. Mbas natës së parë ku i ftuar ishte një aktor që imitonte personazhin social Seriali, dhe “këngës” së tij, ashtu sikundër përdorimit të termave banalë në një festival si ai i dhjetorit, Pandi Laço u kritikua së tepërmi. E si të mos mjaftonte kjo, nata finale shkaktoi një tjetër përplasje. Disa fraza të Pandi Laços, skenarist e prezantues i festivalit, kanë mërzitur disa kompozitorë. Ndërsa ai fliste për kohët e ndryshme të jetës së festivalit, kohët kur festivalet gjykoheshin pasi ishin bërë, ai përmendi se ato kohë, ishin kohët e kompozitorëve Avni Mula, Abdulla Grimci, Feim Ibrahimi. Në vazhdën e këtyre emrave, Laço ka thënë se këta ishin kompozitorë myslimanë që kanë bërë muzikë shqiptare. Fraza ka humbur në eter, dhe pak minuta më vonë në skenë është ngjitur Aleksandër Lalo, i cili i ka falënderuar edhe njëherë këta kompozitorë, ndërsa te videot e festivalit në kanalin e RTSH-së, kjo pjesë nuk është hedhur.
Ka qenë e bija e kompozitorit Feim Ibrahimi, Etrita ajo e cila ka reaguar në mënyrë të menjëhershme, duke i dërguar një mesazh edhe vetë RTSH-së. E pyetur nga “GSh” se pse u mërzit nga Festivali i RTSh-së, Etrita Ibrahimi u shpreh si më poshtë: “Nuk jam mërzitur me fjalët që Pandi Laço pati kurajon të thonte në natën e fundit të festivalit; jam e revoltuar për mendjelehtësinë me të cilën u prononcua për disa nga figurat e muzikës shqiptare (Abdulla Grimci, Avni Mula, Agim Prodani dhe Feim Ibrahimi), duke i cilësuar si “kompozitorë myslimanë, që shkruan muzikë shqiptare”! A mundet që në fund të 2015-ës, në një vend shembull për të gjithë botën (përsa i përket bashkëjetesës fetare), të bëhen diferencime të tilla, kur në fakt në Shqipëri nuk ka ekzistuar asnjëherë një ndarje e tillë??? A mundet që një njeri që presupozohet të jetë burrë i kulturuar, të mund të bëjë një gafë të tillë që nuk ofendon vetëm kompozitorët në fjalë, por edhe të gjithë ata që nuk përmendi dhe që i përkasin feve të ndryshme në Shqipëri??? A ka ndonjë vend në botë ku kompozitorët kategorizohen sipas besimeve fetare??? A ka një drejtori një institucion si RTSH-ja, që të kontrollojë produktet e veta dhe mbi të gjitha të kontrollojë skenarin dhe cilësinë e festivalit të vetëm kombëtar shqiptar??? A ka mundësi të na sqarojë Pandi Laço, cili ishte qëllimi i këtij lëmshi të paparë në të gjithë historinë e muzikës???

Më indinjon vulgariteti dhe injoranca…! Të bësh një skenar të tillë në shekullin XXI, është fyerje për inteligjencën e njerëzve që akoma vlejnë dhe kanë “pak” mend në kokë…! Të prezantosh në këtë mënyrë këtë festival, është simptomë e një sëmundjeje të rëndë që shoqëria e këtij vendi po kalon… dhe revoltohem sepse për mua është e papranueshme ideja që aktualisht po jetoj (në vitin 2010 jam kthyer këtu me dëshirën time, mbas 22 vjetësh në Itali) në një vend të tillë! Aq më tepër kur përmendet në këtë mënyrë emri i kompozitorëve që krijuan muzikën shqiptare, duke përfshirë këtu edhe atë të tim eti! Pandi Laço do të bënte mirë të hapte librat e historisë së muzikës, enciklopeditë e huaja dhe kritikat muzikore shqiptare dhe botërore, në mënyrë që të informohet kush është në të vërtetë Feim Ibrahimi…! Po ia them unë që t’i lehtësoj punën: Feim Ibrahimi, është një nga shtyllat e muzikës shqiptare, është Ai që tronditi tabutë e realizmit socialist, Ai që reformoi muzikën serioze vendase, Ai që e çoi Shqipërinë në UNESCO, Ai është SHQIPTAR dhe shkruante e kompozonte SHQIP!”

LGBT për TARIFËN
Mbasi Eneda Tarifa u shpall fituese e Festivalit, nuk ka munguar reagimi i LGBT-së. Në sitin historia-ime.com, ata shkruan: “Këngëtarja homofobe do të prezantojë Shqipërinë në Eurosong”, duke shtuar se ajo, që një vit më parë ishte e shqetësuar për identitetin gjinor e orientimin seksual të këngëtares austriake Conchitta, do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong, një event ku diskriminimi për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor nuk shihet me sy të mirë.

“Festivali Europian ku Eneda do të përfaqësojë Shqipërinë nuk është edhe aq shumë i respektuar nga ajo. Një vit më parë, kur u fitua nga Conchitta, Eneda shkroi e revoltuar: ‘Ky na qenka Eurosong-u? Hahahaha. Ku po shkojmë… Ku është fshehur muzika? Ku është strukur muzika?’ Kur aktivistët për të drejtat e LGBT-së e kritikuan si homofobe, ajo u përgjigj se nuk dinte madje si t’ia shpjegonte fëmijës se çfarë është Conchitta. Madje shkoi deri atje sa të shprehej se ‘brenda festivaleve si ky në fjalë (Eurosong) lobohet në grupime të përkatësisë seksuale'”, përfundon edhe reagimi i LGBT-së.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: