Historia e fqinjës së tyre i ka shokuar. Në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” komshiet e Lavdies në Fier tregojnë vështirësitë që kjo grua e sëmurë me tumor i duhet të përballojë së bashku me tre fëmijët e saj të mitur.

“Lavdia ka ardhur këtu me qira, dhe kur e kemi parë na ka ardhur shumë keq se ka qënë shumë e sëmurë. E pyetëm: Çfarë sëmundje? Ajo na tregoi që kishte një sëmundje shumë të rëndë; na ka ardhur shumë keq, i jemi afruar me ngrohtësi. I japim edhe për të ngrënë, kur nuk ka i japim ndonjë pjatë gjellë për fëmijët, pak bukë; të gjitha ia kam dhënë, nuk i kam lënë. Gjithë kati jonë i pestë nuk i ka lënë pa ngrënë, edhe katet poshtë mesa kanë patur mundësi e kanë ndihmuar për të ngrënë”,-thotë një nga komshiet e Lavdies.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërkohë komshia e vjetër shprehet se e ka ndihmuar me sa mundësi kanë pasur përfshirë këtu edhe bukën e gojës.

“Lavdien ne këtu e kemi njohur, ka tre fëmijë. Ajo vetëm e kalon kohën dhe ata fëmijë i rrit me shumë sakrifica e nuk është në gjendje ti mbajë, pasi është shumë e sëmurë! Edhe ne sa kemi patur mundësi e kemi ndihmuar. Me qira është ajo, paguan 100 mijë lekë. Dhe ato rrecka që ka ia kemi dhënë ne komshiet si dhe e kanë ndihmuar mësueset e fëmijëve. Lavdia me dy dërrasa erdhi këtu, as rroba as krevatë; dhe nja dy krevate portativë ia dhanë komshiet. Ne i kemi dhënë bukë, kos, vaj, ilaç për rrobat, aq sa kemi patur mundësi se dhe unë pension 100 mijë lekë marr, sa mund ta ndihmoj”, -thotë një tjetër komshie.

“Unë vij shpesh e takoj, i shikoj edhe fëmijët, e ndihmoj kur ka nevojë për ndihmë. Na dhimbsen shumë, janë fëmijë të zgjuar, të mirë, na dhimbsen. Kur e shikoj Lavdien me fëmijët në krah, ajo s’ka fuqi ti mbajë, ka nevojë të marrë mjekim. Na ka thënë që s’ka mundësi të marrë as ilaç. Janë fëmijë nuk kuptojnë se ç’është varfëria, na dhimbsen. Këto kanë nevojë për ndihmë, janë pa bukë, e ëma është shumë e sëmurë. Kanë nevojë për dorë që ta ndihmojë! Ne jemi përpjekur të gjithë si pallat për ta ndihmuar me bukë mesa kemi patur mundësi. Por sa do ta mbajmë edhe neve? Ajo ka nevojë për një ndihmë shumë të madhe, për shtëpi, për vizita mjekësore, për çdo gjë sepse ka 3 vajza të vogla; njërën 8; tjetrën 6 dhe të voglën e ka 2 vjeç gjysmë“, -thotë komshia e Lavdies plot pikëllim.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb