KOSOVE-Këshilli i komunës së Ferizajt miratoi kërkesën për dhënien e ndihmës prej 5 mijë euro për banorët e lagjes së Trimave në Kumanovë.

Propozimi u miratua nga 21 delegatë në seancën, e cila zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Propozimi ka ardhur nga Bashkim Fazliu Migjeni, Kryetar i Nismës Qytetare për Ferizajn, i cili theksoi se “duke pasur parasysh rastin e rëndë që patën banorët shqiptarë të Lagjes së Trimave në Kumanovë, mëngjesin e 9 majit duke u sulmuar papritmas nga forcat maqedone dhe duke parë edhe vetë personalisht dëmet e mëdha materiale të shkaktuar ndaj këtyre banorëve, i propozoj anëtarëve të Kuvendit të Ferizajt që të miratojnë dhënien e ndihmës në të holla për banorët e prekur të Lagjes së Trimave, Kumanovë”.

“Shuma propozoj të jetë 5 mije euro, me mundësi ndryshimi nga Kuvendi. Konsideroj se si përfaqësues të qytetarëve të Ferizajt me këtë gjest simbolik të përkrahjes të banorëve shqiptarë të prekur do të arrijmë paksa t’u kthejmë minimalisht një kujdes të cilin qytetarët tanë e kanë pasur gjatë viteve më të rënda të Kosovës”, thekon Migjeni.

Ai shtoi se nuk duhet harruar se gjatë viteve ’90, kur Kosova ishte në terr informativ, ishte Radio “Zëri i Kumanovës” që na mbushte hapësirat tona në gjuhën shqipe, duke zvogëluar mungesën e plotë të informacioneve. “Qytetarët e dëmtuar të Lagjes së Trimave në Kumanovë, meritojnë përkrahjen tonë. Ata kanë bërë shumë më shumë për ne, t’ua kthejmë sado pak atë”, përfundon propozimi i Migjenit.

(a.n/Kosovapress/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: