TIRANË

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare shprehet se ka mbikëqyrur në mënyrë të vazhdueshme veprimtarinë e subjekteve sipërmarrëse, të cilat kanë si kryefjalë pune ofrimin e shërbimeve elektronike publike në vend. Nga kontrollet e bëra në terren, AKEP thotë se një pjesë e subjekteve janë kapur në shkelje dhe për këtë fakt ndaj tyre janë aplikuar masa administrative.

Teksa bën një bilanc të përgjithshëm me shifra për masat e marra, AKEP thekson se në “skaner” të veprimtarisë së tij do jenë të gjitha subjektet, me qëllim që të garantohet konkurrenca e drejtë mes aktorëve ekonomikë.

Njoftimi i AKEP:

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) si organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, ka mbikëqyrur në mënyrë të vazhdueshme veprimtarinë e subjekteve dhe sipërmarrësve të cilët ofrojnë rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike publike duke siguruar konkurencë të ndershme në tregun e komunikimeve elektronike në Republiken e Shqipërise .

Në mënyrë të veçantë në dy vitet e fundit, inspektimet dhe kontrollet me objekt shmangien e informalitetit të mundshëm në tregun e komunikimeve elektronike, kanë qenë në fokus së punës së AKEP.

Strukturat kompetente të AKEP kanë kryer inspektime dhe verifikime të shumta në disa qarqe të vendit. Në përfundim të inspektimeve janë verifikuar dhjetra subjekte dhe për rastet ku janë evidentuara problematika në aspektin formal të ushtrimit të veprimtarisë, grupet e kontrollit kanë marrë masa administrative kundrejt subjekteve sipas legjislacionit në fuqi, deri në bllokim të aktivitetit.

AKEP ka ushtruar edhe inspektime në distance, ku për shkelje të ndryshme të subjekteve ka ndërmarrë masat administrative “gjobë”, konkretisht:

–      Për vitin 2018 është marrë masë administrative “gjobë” ndaj 77 subjekteve.

–      Për vitin 2019 është marrë masë administrative “gjobë” ndaj 26 subjekteve.

Për vitin 2019 deri tani janë realizuar 47 inspektime të programuara dhe 187  inspektimeve në distancë.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë kryer inspektime me qëllim verifikimin dhe marrjen e masave të duhura juridike/teknike mbi plotësimin e detyrimit të operatoreve të komunikimeve publike për kufizimin e transmetimeve me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme.

Aktualisht strukturat inspektuese të AKEP, në koordinim edhe me institucione të tjera, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve  (DPT) apo Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), janë duke kryer verifikimin dhe kontrollin e mbi dyqind subjekteve, të cilat si objekt të veprimtarise së tyre në QKB kanë deklaruar përveç të tjerave edhe shërbime telekomunikacioni apo postare ose në bilancet e tyre të depozituara pranë DPT kanë deklaruar të ardhura nga shërbimet e telekomunikacionit apo ato postare. Në këtë funksion, DPT dhe AKEP kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi për të ndervepruar në një nivel te ri të shkëmbimit të informacionit dhe kontrollit, me qëllim forcimin e luftës kundër informalitetit, në subjektet që kryejnë veprimtari në fushën e komunikimeve elektronike. Ky memorandum i  hap udhë përcjelljes në mënyrë sistematike dhe dinamike të informacionit mes dy institucioneve dhe ngritjes së grupeve të përbashkëta të kontrollit apo inspektimeve.

Si rezultat i shtimit të inspektimeve të kryera nga AKEP në vitet 2018, 2019 por edhe për arsye të zhvillimit normal të tregut për rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike, veçanërisht në disa zona pa rrjet dhe shërbime interneti, e parë gjithashtu edhe në aspektin e nxitjes nga AKEP të investimeve për zhvillimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, gjatë vitit 2018 dhe deri tani, janë regjistruar 70 subjekte të reja në AKEP, tregues ky i zhvillimit të konkurencës së ndershme në treg. Konkretisht:

–      Gjatë vitit 2018 janë regjistruar 36 sipërmarrës të rinj në AKEP, nga të cilët 29 sipërmarrës për ofrimin e shërbimit internet, 6 sipërmarrës për ofrimin e shërbimeve me vlere të shtuar dhe 1 sipërmarrës për shërbimin telefoni fikse.

–      Për vitin 2019 janë regjistruar 34 sipërmarrës të rinj në AKEP, nga të cilët 32 sipërmarrës për ofrimin e shërbimit internet, 1 sipërmarrës për ofrimin e shërbimeve me vlerë të shtuar dhe 1 sipërmarrës për shërbimin telefoni fikse.

AKEP do të vijojë të ndjekë me prioritet këtë çështje, me qëllim zhvillimin e një konkurence të ndershme në tregun e komunikimeve elektronike në Republiken e Shqipërise.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: