Në vitin 1959, qeveria australiane prishi një qendër të vjetër artistike në Sidnej (të ngritur mbi rrënojat e një kalaje që datonte vitin 1817 dhe pastaj të shndërruar në një stacion tramesh), duke shkuar ndesh me shumë grupe artistësh nostalgjikë të artit kolonial australian, që protestuan, disa herë bllokuan punimet dhe kërkuan që qendra të vijonte ekzistencën e saj. Në vend të qendrës, pas 14 vitesh ndërtimi, në vitin 1973 Australia fitoi Operën e Sindej-t, një ndërtesë e artit ekspresionist në zemër të portit të qytetit, ikonë e zhvillimit modern të Australisë. Qeveria australiane, në kohën e rezistencës së artistëve nostalgjikë, gjithnjë deklaronte se po vepronte në emër të interesit te komunitetit qytetar dhe të kërkesave të tij për një opera dhe qendër artistike moderne. Ndoshta në mënyrë të ngjashme, qeveria jonë, në vend që të merret me opinione artistësh të njohur të artit tonë skenik që duan ndërtimin nga e para të Teatrit Kombëtar, duhet të na bindë për nevojat e ne qytetarëve për këtë shërbim publik. Pse teatri(jo ai i kompanive private) është ende tek ne një shërbim publik dhe paguhet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Dhe do të jetë mirë të qëndrojë gjithnjë kështu, një shërbim publik, pse e ka të vështirë të mbijetojë me vetëfinancim. Dhe këtij shërbimi publik i duhet matur e mira publike. Nga njëra anë, sa kjo e mirë publike realizohet duke e mbajtur ndërtesën e vjetër. Duke e restauruar dhe ristrukturuar atë. Dhe në ç’masë kjo e mirë publike realizohet duke ndërtuar një teatër të ri. Në nivel të numrit të vendeve të uljes (shikimit të spektaklit teatror), përdorimit të teknikave moderne dhe të podeve automatike, etj.

E gjithë kjo e mirë publike e re vjen e mangët, vetëm nëse shprehet me gojën e disa artistëve të mirënjohur të skenës, sado të dashur dhe të shtrenjtë të jenë ata për publikun tonë. Në të ardhmen e teatrit kombëtar duhet të vendosë një trupë ekspertësh dhe të dallohen qartë të mirat që fitojmë duke e restauruar ndërtesën ekzistuese, si dhe ato duke e ndërtuar nga e para. Këto dy variante duhet të peshohen, krahasohen dhe të vlerësohen pikërisht nga këndvështrimi i shërbimit publik që dy ndërtesat ofrojnë, e jo thjesht nga nostalgjia apo domosdoshmëria e ruajtjes së vlerave të teatrit të deritanishëm, si xhirimet, kasetat, fotot, rekuizita, etj. Të gjitha këto të fundit mund të ishin pjesë të një muzeu për historinë e teatrit shqiptar, i cili, përse jo, të ishte pjesë përbërëse e ndërtesës së re. Njëlloj sikurse Opera e Sindejt ka edhe një pavion të artit pamor kolonial australian. Ndërsa gara për projektin dhe fitimin e tenderit për ndërtesën e re duhet të respektojë ligjet tona të prokurimit publik. Nëse ato janë shkelur, është shumë mirë që për shkeljen e frymës apo edhe disa neneve të Kushtetutës të shprehet Gjykata Kushtetuese, sapo ajo të jetë sërish vepruese.

Dhe, nëse kjo gjykatë e cilëson procedurën e deritanishme për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar si shkelje të Kushtetutës, sigurisht që duhet të nisë një procedurë e re dhe të vihen përpara përgjegjësisë ata që e shkelën. Partia kryesore në opozitë bëri shumë mirë që mbështeti artistët protestues të Aleancës për Teatrin Kombëtar, nëse ajo beson se janë shkelur fryma dhe nenet e Kushtetutës në procedurat për ndërtimin e teatrit të ri. Thënë më thjeshtë dhe troç: është kapur shteti. Por duhet të respektojë interesat dhe nevojat e komunitetit të qytetarëve për shërbimin publik të teatrit kombëtar, pse është një forcë politike që synon të përfaqësojë interesat e qytetarëve të këtij vendi, jo vetëm të artistëve. Për këtë, duhet të kishte pozicionim të qartë. Sigurisht që kjo parti ka nevojë për frymën opozitare dhe protestuese të çdo grupi shoqëror në kundërshtim me veprimet e qeverisë së sotme, sikurse janë artistët që kanë 425 ditë që protestojnë për të mos shembur ndërtesën e vjetër të teatrit kombëtar, ndryshe nga vullneti qeveritar. Por ka edhe për detyrë të shprehet qartë se si mendon t’u shërbejë më mirë interesave të komunitetit të qytetarëve për shërbimet publike të tilla si ajo e teatrit kombëtar. Dhe jo vetëm të mbajë ison e grupit të artistëve nostalgjikë të pashërueshëm të vlerave dhe afeksionit për ndërtesën-shtyllë të spektaklit teatror shqiptar në këto shtatë dekadat e fundit./GazetaShqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: