Një vit pas agresionit rus në Ukrainë, përballja me të shkuarën komuniste dhe pasojat e saj, duket më aktuale se kurrë. Në kuadër të Ditëve të Kujtesës, u mbajt në Tiranë konferenca “Përballja me të shkuarën në perspektivë krahasimore- mësime të panxëna”, ku mori pjesë edhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, ndërsa vendi shënon përvjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit më 20 shkurt 1991.
Volodomyr Shkurov, Ambasador i Ukrainës thotë: “Sistemi totalitar që mori qindra milionë jetë na kujton të shkuarën, por siç e shohim, manifestohet edhe në jetën moderne të ish Bashkimit Sovjetik. Siç e dini agresioni rus kundër Ukrainës vazhdon dhe ju i dini fatalitetet e mëdha ku përfshihen fëmijët. Nëse infrastruktura mund të rindërtohet, jetët e humbura nuk kthehen. Ky vit është deciziv dhe ndihma e partnereve po ashtu”
Nga ana tjetër, ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, dha mesazhe të qarta sa i takon marrëdhënies që Shqipëria duhet të ketë me të shkuarën e saj, parë tashmë nga perspektiva europiane e një unioni që erdhi si kurorëzim i paqes pas Luftës së Dytë Botërore. Ambasadorja Hohman, e rritur në Gjermaninë Lindore, theksoi nevojën për përballje.
“Ka efekte afatgjata, përveç atyre që u burgosën e atyre që janë të zhdukur. Shoqëria u nda mes atyre që e mbështeten e atyre që vuajtën pasojat e komunizmit. Kemi traumën e një shoqërie që nuk bashkohet. Një trashëgimi e rëndë për Shqipërinë. Vetë BE ishte projekt për të ruajtur paqen. Kjo është diçka që funksionon me pajtim, por pajtimi do të thotë të marrim hapa juridikë, për identifikimin e ndëshkimin e autorëve dhe në anën tjetër të dialogojmë”, tha ambasadorja Christine Hohman.
Drejtuesja e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë përsëriti kërkesën për një memorial në Tiranë mbi viktimat e Diktaturës, duke kërkuar mbështetjen e parlamentit. Deputetja Flutura Açka e pranishme në sallë tha se do ta mbështesë nismën në Komisionin e Medias.
Ditët e Kujtesës mbahen deri në datën 28 shkurt dhe krahas konferencave, shfaqin ekspozita dhe filma dokumentarë mbi ngjarje e personazhe që vuajtën dënime.