Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi tregoi detaje nga festa që do përfshijë kryeqytetin nesër në mbrëmje, në vigjilje të ndërrimit të viteve.
Gjatë një lidhje me Skype për programin “Opinion” në News24 me Ola Brukon, Seferi tha se në sheshin Skënderbej do të ketë plot surpriza, nga festivali i dritave, koncerti, ndërsa nuk do të mungojë as spektakli i fishekzjarreve.
Seferi tha se countdown-i i ndërrimit të viteve në skenën e koncertit në sheshin Skënderbej, do të numërohet nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit, tha Seferi do të punojnë në bazë të një plani për sigurinë dhe menaxhimin e trafikut në kryeqytet.
Andi Seferi: Do të ketë një klimë shumë festive. Edhe sonte ka festë, ka një koncert festiv që fillon prej orës 18.00 me DJ, Tre musketjerët, etj. Ka spektakël. Por duhet bërë edhe marrja e masave për të garantuar spektaklin.
Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit po punojnë për një plan për të mirëmenaxhuar trafikun e automjeteve dhe lëvizjet e qytetarëve. Qytetarët do orientohen në pika të veccanta. Por edhe automjetet që qarkullojnë përreth sheshit dhe rrugëve periferike. Vetëm nga ana e policisë bashkiake ka një prezencë prej mbi 100 efektivë të shtuar për këto dy mbrëmje, sidomos për mbrëmjen e nesërme.
Risi është festivali i dritave. Ndriçimi i fasadave i shoqëruar me muzikë, do të ndodhë edhe në këto 2 mbrëmje prej 17.30 deri në 22.00.
Data 31 dhjetor tanimë po kthehet në një emblemë të kryeqytetit. Përpos festivitetit që jep fshati në sheshin Skënderbej do të fillojë edhe koncerti i madh që ka nga emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Do të ketë spektakël fishekzjarresh që do të jenë prezentë si gjithmonë.
“Numërimi i ndërrimit të viteve do të bëhet nga kryebashkiaku”, tha Seferi.
(BalkanWeb)