Koncerti vjetor i Vitit të Ri 2025 – një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës klasike të vitit – u mbajt dje, më 1 janar 2025, nën drejtimin e maestros, Riccardo Muti në “Sallën e Artë – Musikverein”, në Vjenë.
Koncerti i Vitit të Ri 2025 – i mbajtur çdo vit që nga viti 1941 – u transmetua në mbi 90 vende dhe u ndoq nga miliona shikues televiziv në mbarë botën.
Edicioni i 67-të i koncertit u drejtua nga Riccardo Muti. Koncerti i këtij viti shënoi 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit austriak, “Mbretit të Valsit”, Johann Strauss Jr.
Ndër veprat e interpretuara ishin, “Fidele Brüder” e Joseph Hellmesberger Jr. nga opereta e tij “Das Veilchenmädel” dhe “Ferdinandus Waltz” nga Constanze Geiger.
Muti, 83 vjeç, drejtoi “Demolirer-Polka” op. 269 - një polka e shkruar nga Johann Strauss II në 1862 dhe “Valsi i Lagunës”.
“I uroj gjithë botës tre gjëra: paqe, vëllazëri dhe dashuri në të gjithë botën”, tha Muti përpara se të drejtonte “Blue Danube” e kompozuar nga Johann Strauss II në 1866.
Kjo ishte hera e shtatë – dhe e fundit që Muti drejton Koncertin e Vitit të Ri.
Më 1 janar 2026, drejtori muzikor i Operas Metropolitane të Nju Jorkut, 49-vjeçari Yannick Nézet-Séguin, do të marrë drejtimin e podiumit të koncertit.
Riccardo Muti ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë e Filarmonisë së Vjenës për më shumë se 50 vjet.
Bashkëpunimi artistik me Maestro Muti filloi në vitin 1971.
Që atëherë, ai ka drejtuar mbi 500 koncerte, duke përfshirë gjashtë koncerte të Vitit të Ri, koncerte të Filarmonisë, koncerte përkujtimore, koncerte vjetore orkestrale në Festivalin e Salzburgut, shfaqje me të ftuar dhe turne, dhe prodhime të shumta operistike.
Ai është anëtar nderi i Filarmonisë së Vjenës që nga viti 2011.
“Marshi Radetzky”, Op 228 – një marsh i kompozuar nga Johann Strauss – u shfaq për herë të parë në koncertin e Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës, më 1 janar 1946.