NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Të shtunën e 17 dhjetorit radhë të gjata janë parë prej orës 10:00 të mëngjesit për të marrë bileta për koncertin vjenez të Shkëlzen Dolit në Tiranë. Pas Pallatit të Kongreseve, ku edhe shiteshin, publiku ka mbajtur radhë, por jo pa bërë sherr, ndërsa shitja ende nuk kish filluar.

Paçka temperaturave të ulëta dhe çmimeve të kripura që varionin nga 3, 5, 6 dhe 7 mijë lekë të rinj për një biletë, dashamirësit e muzikës klasike kanë pritur për të siguruar një vend në sallën e koncerteve me 2 janar, ora 20:00.

Pakënaqësia e pritjes ka qenë e madhe, ndërsa pak prej tyre kanë mundur të sigurojnë bileta. Mesditën e së shtunës, kompania organizatore e koncertit, shkruante në profilin e saj: “Të dashur artdashës, Ju bëjmë me dije se sapo u njoftuam që shitja e biletave ka përfunduar në një kohë rekord për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm nga ana Juaj. Nga ana tjetër Ju sigurojmë se të gjitha komentet që Ju keni bërë, u mbajtën shënim dhe do të bëhet më e mira në edicionin tjetër 2018. Faleminderit”.

Pas këtij postimi, komentet kanë qenë të pamëshirshme: nga fyeset te kritikat, akuzat për dështim e manipulim.

Koncerti mbahet në datën 2 janar në Pallatin e Kongreseve dhe në të interpretojnë violinisti Shkëlzen Doli dhe Ansambli i Filarmonisë së Vjenës. Ansambli i Filarmonisë së Vjenës që vjen në Tiranë përbëhet nga 40 instrumentistë dhe jo nga e gjithë Filarmonia e Vjenës, ndërsa programi i koncertit të Tiranës, është pak a shumë si ai i Vjenës e përfshin Johann e Josef Strauss, Franz Lehar, Johannes Brahms, pra polka, vals, si edhe interpretimi i Marshit të Radezky-t dhe Danubit Blu.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: