NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Zbardhet nga “GSH” marrëveshja e nënshkruar mes Ministrisë së Kulturës dhe violinistit Shkëlzen Doli për koncertin vjenez në Tiranë. E firmosur më 6 qershor të këtij viti, mes Mirela Kumbaros (ministre- në cilësinë e partnerit institucional) dhe Shkëlzen Dolit (ideatori i koncertit e violinist i Filarmonisë së Vjenës), në të palët përcaktojnë angazhimet për organizimin e mbarëvajtjen e koncertit, gjetjen e financimit etj. Duke vënë në dukje se “realizimi i tij do ta bënte Shqipërinë një qendër të re të performancës vjeneze, çka do të ishte frymëzim dhe motiv i fortë për të kontribuar në jetën artistike të vendit”, palët në marrëveshje bien dakord në parim për bashkërendimin e punës.

Sipas dokumenteve të nënshkruara: Ministria ka pasur detyrë të ngrejë grup pune, të hartojë një plan për zhvillimin e projektit deri në realizimin e plotë; të zhvillojë procedura ligjore të brendshme për angazhimin me fonde publike për këtë projekt; të krijojë bashkëpunime me sponsorë për t’u angazhuar financiarisht në projekt; e ndër të tjera, në fund, Ministria e Kulturës, me kërkesë të Dolit, është angazhuar që: të sigurojë që ajo vetë apo palët e treta të mos përdorin në asnjë mënyrë markën e regjistruar “Weiner Philharmoniker” (Filarmonia e Vjenës- Orkestra Filarmonike e Vjenës).

Ndërkaq, Doli, sipas marrëveshjes, merr përsipër organizimin e koncertit me anëtarë të Ansamblit Filarmonik të Vjenës në Tiranë me 2 janar 2017 në bashkëpunim me MK; të kontribuojë në komunikimin dhe angazhimin e anëtarëve të Filarmonisë së Vjenës; të vërë në dispozicion të Ministrisë së Kulturës informacione e dokumentacione që nevojiten për procedurat ligjore në realizimin e projektit; të bashkëpunojë për përfitimin e fondeve nga sponsorë dhe kërkon prej Ministrisë së Kulturës që në Koncertin e Shkëlzen Dolit me Ansamblin Filarmonik të Vjenës, ajo vetë apo përmes palëve të treta të mos përdorë në asnjë mënyrë, markën e regjistruar “Weiner Philharmoniker”- Filarmonia e Vjenës(Orkestra Filarmonike e Vjenës). Kjo është pak a shumë marrëveshja, ku siç shihet, palët janë angazhuar të mos përdoret termi “Filarmonia e Vjenës”, duke përcaktuar në një nen të kontratës- mos-abuzimin me emrin. Nga ana tjetër, “GSH” i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës të dijë se me ç’shumë është mbështetur koncerti, dhe kjo e fundit dje ka konfirmuar shifrën që dha Partia Demokratike. MK-ja tha se janë dhënë 135 milionë lekë të vjetra prej saj, si një ndër organizatoret e koncertit.

REAGIMI I AMBASADËS
Pas kritikave e debatit për çështjen e koncertit vjenez të Shkëlzen Dolit në Tiranë dhe asaj që u konsiderua si mashtrim për ardhjen e Filarmonisë së Vjenës në vendin tonë, ka reaguar dje zyrtarisht ambasada e Austrisë në Shqipëri. Përmes një njoftimi për mediat, zyra e shtypit e kësaj ambasade thotë se, “pas paqartësive të shfaqura ditët e fundit në lidhje me ‘Ansamblin Filarmonik të Vjenës’ dhe ‘Filarmoninë e Vjenës’, dëshirojmë të bëjmë disa sqarime mbi koncertin e datës 2 janar në Tiranë”. Ambasada bën dallimin mes Filarmonisë së Vjenës dhe Ansamblit që vjen në Tiranë, dhe reagimi vjen një ditë pasi për çështjen është kontaktuar edhe drejtori i Filarmonisë. “Në datën 2 janar do të performojnë në Tiranë 36 artistë të renomuar nga Vjena. Ky grup përbëhet nga anëtarë të ‘Ansamblit Filarmonik të Vjenës’, anëtarë dhe ish-anëtarë të Filarmonisë së Vjenës, si dhe nga muzikantë të tjerë austriakë”, thotë ambasada në njoftim.

Po aty, sqarohet se: “Ansambli Filarmonik i Vjenës është themeluar në vitin 2013 me iniciativë të Shkëlzen Dolit, anëtar i Filarmonisë së Vjenës”, ndërsa shtohet se “Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me ‘AGE Art Production’ ka gjetur mbështetjen e disa kompanive austriake dhe shqiptare, si dhe të ambasadës austriake në Tiranë”. Sa u takon debateve të mëdha për biletat, për çka shumë artdashës u ankuan se nuk gjetën më bileta edhe pse ndenjën në radhë, ambasada thotë: “Një pjesë e madhe e biletave iu shit qytetarëve të interesuar në sportelin e Pallatit të Kongreseve si dhe online. Një pjesë tjetër iu shpërnda sponsorëve. Gjithashtu, ndër të tjera, një pjesë e biletave iu dedikua grupeve me aftësi të kufizuara dhe studentëve të ekselencës”.

Zyra e shtypit e ambasadës austriake vëren se, “duke qenë se interesi ishte shumë i madh, vetëm një pjesë e vogël prej tyre arriti të mbetej i kënaqur me sigurimin e një bilete. Për këtë lutemi për mirëkuptimin tuaj”. Në fund bëhet me dije se, “një pjesë e të ardhurave të mbledhura nga shitja e biletave do të shkojë për bamirësi, konkretisht për fshatin SOS në Shqipëri. Gjithashtu, koncerti do të transmetohet live në Radio Televizionin Shqiptar”. Duke përcjellë urime për festat e fundvitit, ambasada e mbyll njoftimin e saj. Gjatë këtyre ditëve, një debat i gjerë ka përfshirë rrjetet sociale e personazhe të njohura publike: shumë syresh kanë pretenduar se janë ndjerë të mashtruar, pasi kishin menduar se në Tiranë do të vinte Filarmonia e Vjenës dhe jo një pjesë e saj, siç është Ansambli i kësaj Filarmonie.

Debatet ‘pro’ e ‘kundra’ kanë përfshirë edhe vetë Shkëlzen Dolin, i cili deri më tani nuk ka reaguar mbi debatin, veçse ka bërë me dije se në Tiranë vjen me 36 artistë. Koncerti i datës 2 janar në Tiranë është i ngjashëm në program me Koncertin e Vjenës, që mbahet me 1 janar. Ministria e Kulturës në një reagim për “GSH” pati sqaruar javën e kaluar se koncerti “do të zgjasë 90 minuta, me ndërprerjen prej tri prezantimesh të videove që janë xhiruar në: Shqipëri, Kalabri dhe Kosovë”. Ndërsa, programi i koncertit të Tiranës është pak a shumë si ai i Vjenës: përfshin Johann e Josef Strauss, Franz Lehar, Johannes Brahms, pra polka, vals, si edhe interpretimi i Marshit të Radezky- t dhe Danubit Blu.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb