NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Ndonëse ministria e Energjisë ende nuk e ka bërë publike fituesin e tenderit për koncesionin e kërkimit të naftës në bllokun tokësor C, në Shqipëri, ka qenë vetë kompania fituese e cila e ka bërë të ditur atë.

Bëhet fjalë për kanadezen Zenith Energy, e cila përmes një deklarate zyrtare, thotë se është njoftuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore si fituesja e koncesionit, e cila ka të drejtën e eksplorimit në këtë zonë.

Tenderi për dhënien me koncesion të Bllokut C, ishte hapur nga ministria e Energjisë një vit më parë, së bashku me 6 blloqe të tjera hidrokarbure. Megjithatë kompania kanadeze nuk flet për afatin e shfrytëzimit dhe vlerën e investimit në Bllokun C.

Ky bllok shtrihet në jug të qytetit të Durrësit dhe mbulon një hapësirë prej 900 kilometrash katrorë. Tenderi për dhënien e koncesionit të kësaj zone është hapur një vit më parë së bashku me 6 blloqe të tjera hidrokarbure.

Sipas drejtuesve të kompanisë kanadeze, studimet e fizibilitetit në këtë zonë tregojnë për rezerva të mëdha të gazit, përfshirë fushën e Divjakës, ku mendohet se gjenden deri në 2.2 miliardë metër kub gaz. Në njoftimin publik shef ekzekutiv i Zenith Andrea Cattaneo, deklaron se kompania kanadeze pret te realizojë investime strategjike në industrinë e naftës dhe gazit në Republikën e Shqipërisë.

Sipas tij, vendi vazhdon të paraqesë mundësi të gjera ekonomike për investitorët e huaj dhe vlera të qëndrueshme brenda sektorit. Zenith Energy aktualisht operon në15 fusha naftëmbajtëse në vende të ndryshme të botës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: