NGA: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE- Një grup deputetësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim të kryesuar nga kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili, kanë depozituar në Kuvend projektligjin për “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar.

Në relacionin e paraqitur për ndryshimet ligjore deputetët kërkojnë që në këtë ligj të përfshihet Koncepti i “Vlerësimit të Alternativës” që rregullon kompetencat e autoriteteve kontraktuese për të hyrë në marrëveshje koncesionesh dhe partneritetesh publike private, për investime të bazuara në këto marrëveshje, si dhe përfshirja e aktorëve të tjerë në dhënien e këtij vlerësimi. Deputetët propozojnë që në ligj të përcaktohet përfshirja e ministrisë së Financave, ministrisë së Ekonomisë dhe Avokatura e Shtetit. Sipas deputetëve të LSI-së, përfshirja e Avokaturës së Shtetit në këtë fazë, do të ndihmojë procesin e “vlerësimit të alternativës” me një asistencë ligjore të vyer.

Arsyeja se përse kërkohet të përfshihen këta aktorë të tjerë, sqaron relacioni, ka të bëjë me faktin se, kontratat e koncesioneve/partneriteteve publike private, në thelb u japin të drejta afatgjatë për punë apo shërbime të Shtetit Shqiptar, kompanive private. Përpara se të vazhdohet me procedurën e marrëveshjes, është shumë e domosdoshme sipas deputetëve vlerësimi i projektit dhe mundësia nëse ky projekt mund të realizohet me një procedurë prokurimi standard.

Deputetët vlerësojnë gjithashtu se duke qenë se koncesionet u jepen privatëve për një periudhë deri në 35 vjet ato duhet të miratohen më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, pra të hyjnë në fuqi pas votimit në Kuvend. Këtë propozim ligjvënësit e LSI e argumentojnë me faktin se meqenëse këto lloj kontratash i kalojnë mandatet politike të maxhorancave, atëherë imponojnë një përgjegjësi shtetërore afatgjatë dhe detyrimin e zbatimit të tyre korrekt ndër vite pavarësisht çdo lloj ndryshimi të karakterit politik.
Në të njëjtën kohë garantojnë nga ana ligjore edhe investitorët që marrin përsipër këto lloj shërbimesh.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: