Kryeministri i vendit Edi Rama, sqaroi sot në Kuvend dy koncesione për rrugët Oikum-Dukat dhe Milot-Balldre, projekte që sipas ish-deputetit Shehaj do t’i kushtojnë shqiptarëve miliona, ndërsa vetë Rama do të fusë në xhep 200 mln euro.

Një ditë më parë edhe News 24 e BalkanWeb siguroi kontratë marrëveshjen e rrugës Milot-Balldren, e cila rezulton se shqiptarëve ajo di t’i kushtojë 15 mln € për kilometër.

Ndërsa mund të quhet pa frikë si një “rrugë prej floriri”, Rama u justifikua në Kuvend se do të bëjë rrugë me standarde europiane që të mirëmbahen sipas standardeve të tilla, dhe i cilësoi shpifje gjithë sa thuhen.

“Janë dy projekte shumë të rëndëshishme për Shqipërinë që duam, Balldren-Milot dhe Orikum-Llogara. I referohem projektit tonë, është rasti t’i kthehem malit të shpifjeve dhe abuzimeve lidhur me politikën tonë të shpallur qysh në krye të herës dhe të zbatuar vijimësisht për të krijuar PPP në funksion të zhvillimit. Është e paimagjinueshme që kilometrat e rrugëve të trajtohen si metra teritali. Kur flasim për kilometra rruge duhet të shohim çfarë ka në to. S’mund t’i bihet shkurt. Standardi i rrugëve duhet i standardit A. E kemi këtë vetmë në një pjesë të Rrugës së Kombit, ndërsa rruga e Elbasanit që nisesh t’i biesh shkurt e del gjatë ka kushtuar shumë se është bërë shto këtu e shto aty.

Sipas tij, të dyja rrugët që do të ndërtohen janë standard A.

“Rrugë me standardin A në Shqipëri kemi vetëm një pjesë të rrugës së Kombit , ndërsa rruga Tiranë-Elbasan është shëmbëlltyra më kuptimplotë e faktit që nisesh ti nisesh ti biesh shkurt e rruga të del gjatë ka kushtuar trefishin e parashikimit se është bërë qorrazi dhe është dashur në vijimësi të shtohen para”, -theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “rruga Milot-Balldren ka dy ura, urën mbi Drin me 224 m hapësira drite dhe urën mbi Mat me 624 m hapësirë drite. Janë dy vepra madhore. Ka 6 nyje mbikalime dhe nënkalime dhe duke qenë rrugë e standardit A do të jetë një rrugë ku nuk do të bashkëjetojnë në ecje e sipër automjetet me bagëtitë dhe ku nuk do të lejohet transformimi i rrugës mes pishinash, magazinash dhe trampolinash, varreza makinash etj”

“Do jetë një rrugë që nuk do të pengojë jetën dhe lëvizjen e banorëve në të dy anët e rrugës dhe nuk do lejojë banorë të hapin rrugë që të futen në mes aksit kryesor që do të thotë se ka dy rrugë të tjera paralele me 9.5 km gjatësi dhe po ashtu ka 7 km rrugë shërbimesh për ata që jetojnë në anë të rrugëve”-, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se, “akoma më e rëndësishme është se në atë shumë ka 13 vjet mirëmbajtje. Vepra e vetme që meriton një farë respekti nga veprat e infrastrukturës që janë ndërtuar në Shqipëri është rruga e Kombit. Por nuk meriton të gjithë respektin për faktin se së pari kushtoi mbi 1 miliard dhe akoma s’ka mbaruar kërkon para, së dyti nuk përmbush standardin A në gjithë gjatësinë dhe së treti nuk është se garanton atë që ne u detyruam ta bëjmë me vendosjen e pagesës, mirëmbajtjen e vazhdueshme të saj”.

“Në këto kontrata kemi mirëmbajtje për 13 vjet , çdo gjë është në përgjegjësinë e kompanive. Një tjetër gjë është që janë kompanitë që investojnë kapitalet e tyre dhe shteti investon vit pas viti, nuk jepen menjëherë”, – shtoi Rama.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se “rruga Balldren-Milot ka dy tunele. Tjetër është të hapësh një tunel e tjetër të bësh një km rrugë, si mund ti thuash njerëzve të njëjtën gjë në mënyër të përsëritur vjedhje, vjedhje, vjedhje”.

Kryeministri sqaroi ndër të tjersa se, “PPP apo koncesionet nuk janë metoda kriminale të shpikur nga mafia, jo skema abuzive për përfitime në kurriz të popullit, por janë skema që të bëjnë të mundur në një kohë të shkurtër rritjen e cilësisë së shërbimit për publikun që me kapacitetet e tij shteti nuk i bën dot. Vlera e tyre shihet tek përfitimi që ka publiku”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb