Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24 ka sjellë detaje të reja nga dosja e SPAK për koncesionin e sterilizimit që solli disa urdhra arresti.

Një koncesion që në letra, dukej i qepur pastër, ashtu si edhe vetë sterilizimi i setit të pajisjeve kirurgjikale, nëpër spitale.

Aty ku kishin hedhur firmën në dokumente, por që pas hetimeve të gjata disavjeçare të kryera nga SPAK, ky koncesion në fakt do të rezultonte të ishte më i ndotur se edhe vetë sallat operatore, që po ata kishin tenderuar për t’i shpëtuar nga mikrobet.

Në pranga këtë herë do të përfundonin vetë zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe CEO i koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale në spitale, biznesmeni Ilir Rrapaj.

Po cilat ishin gjetjet e SPAK lidhur mbi koncesionin e Sterilizimit dhe përse ky tender i aq shumë lëvduar nga vetë kryeministri Rama, përfundoi ashtu si shumë sivëllezër të tij të ngjashëm në dyert e drejtësisë?

Cila është lidhja e zv.ministrit të Shëndetësisë Rjepaj me biznesmenin Rrapaj, dhe çfarë i nxori ata zbuluar në këtë marrëdhënie?

A është Klodian Rjepaj, i vetmi zyrtar madhor, i përfshirë në këtë mega aferë, që përfundoi në bisturinë e sterilizuar tashmë të drejtësisë?

Po për të kuptuar më mirë se si ‘Sterilizimi’ përfundoi në prangat e SPAK, është me vend të kthehemi shumë pas në kohë, pikërisht 10 vite më parë.

Në vitin 2013, periudha kur në qeverisje, rikthehet Partia Socialiste, e cila mori pushtetin pas një mungese 8-vjeçare me divizën e duarve të pastra.

Ardhje në pushtet ku fillojnë dhe bien në sy edhe disa marrëdhënie klienteliste, midis ministrave të rinj dhe biznesmenëve deri në këtë kohë të panjohur për tregun shqiptar.

Raporte të padukshme që shpejt do të konkretizoheshin me marrëveshje bashkëpunimi dhe koncesione të majme për cilindo biznesmen që do të dorovitej me të tilla shuma parash.

Një histori e tillë e ngjashme duket të jetë edhe kjo e koncesionit të ‘Sterilizimit’

prej 9.6 miliardë lekësh i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015, që prej 4 vitesh ka përfunduar në duart e SPAK.

Tenderi i dyshimtë sot i gllabëron buxhetit të shtetit mesatarisht rreth 1.6 miliardë lekë ose 13 milionë euro në vit.

Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, gjithçka nis e merr jetë në vitin 2013, periudhë në të cilën ministër i Shëndetësisë do të emërohet Ilir Beqaj, një ish-basketbollist i Dinamos të viteve ‘80, që një pjesë të mirë të aktivitetit të tij sportiv, e kishte ndarë me Edi Ramën, shoku i tij i rinisë së hershme, që në vitin 2013 do të zgjidhej kryeministër i Shqipërisë.

Në kabinetin e tij do të bënte vend, në postin e Ministrit të Shëndetësisë, edhe për mikun e vjetër, Ilir Beqaj.

Ndër operacionet e tij të para që do të ndërmerrte si ministër, do të ishte edhe ai për kurimin rrënjësor të Shëndetësisë.

Në këtë kuadër, bisturia e parë për ta shpëtuar tashmë njëherë e mirë këtë shëndetësi nga lëngimi i thellë, ku sipas socialistëve e kishin lënë demokratët, do të ishte ai i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale nëpër spitale.

Madje, për ta bërë sa më të besueshme divizën e tyre se epoka kur shëndetësia ishte lënë pas dore kishte marrë fund, më 22 nëntor të vitit 2013, qeveria Rama organizoi në pallatin e Brigadave në Tiranë edhe Nismën “Thuaj po Shqipërisë”.

Të pranishëm në këtë tubim ishin profesionistët më të mirë shqiptarë në fushën e mjekësisë, të thirrur në këtë sallë nga vende të ndryshme të botës.

Por ndërsa në sallë binin tek-tuk në sy emra të njohur të shkencës së mjekësisë, midis tyre vihet re si pjesëmarrës i ulur në radhët e para të karrigeve, një personazh deri në këtë moment i panjohur për publikun, që për kohën nuk duket se prodhonte ndonjë lajm kush e di se çfarë.

Por në vazhdim do të përbënte edhe fillesën e një hetimi të gjatë, nga ku do të rezultonte se personi i ulur përballë kryeministrit Rama dhe drejtuesve të lartë të Shëndetësisë, nuk do të ishte edhe aq rastësisht i përzgjedhur të qëndronte në radhët e para të karrigeve. Ky personazh, do të ishte Ilir Rrapaj, një biznesmen që punët e tij si afarist deri në këtë kohë i kishte zhvilluar në Peruxhia të Italisë.

Aty ai ishte pronar i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi, sipërmarrje që rezultonte të kishte vetëm një të punësuar, vetë biznesmenin Ilir Rrapaj.

“Më datë 20 nëntor 2021 nga kërkimet e kryera në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rezulton se nga postimi i datës 27 Nëntor 2013 me titull ‘Thuaji Po Shqipërisë’, vërehet një album me fotografi të aktivitetit sipërcituar.

Në këto fotografi bie në sy se në disa prej tyre është fokusuar shtetasi Ilir Rrapaj, i cili ndodhet në praninë edhe të Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, si dhe Zvmministrit Klodian Rjepaj”, thuhet në dosjen hetimore.

Do të ishte pikërisht Ilir Rrapaj, njeriu që deri në këtë moment qëndronte në krah të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe numrit dy të dikasterit, Klodian Rjepaj, që pas aktivitetit ‘Thuaj Po Shqipërisë’, do të ishte në vitin 2015, fitues i koncesionit 100 milionë euro të Sterilizimit nëpërmjet kompanisë ‘SaniService’

Disi e habitshme po të mendosh kapitalin dhe sipërmarrjen që Ilir Rrapaj kishte në Itali, koncesion që pas kallëzimit të Nismës ‘Thurje’ në dhjetor të vitit 2019, përfundoi në SPAK.

Por prania e biznesmenit Ilir Rrapaj në krah të dy drejtuesve të lartë të Shëndetësisë në tubimin mjekësor “Thuaj po Shqipërisë”, nuk do të ishte e para, por as edhe e vetmja në vazhdim.

Këtë herë ai do të shfaqej në praninë e tyre, vetëm dy javë më pas, në një pritje që Universiteti i Peruxhias, kishte organizuar për ministrin Beqaj.

“Më datë 18 dhjetor 2013, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe zv/ministri Klodian Rjepaj, janë takuar me drejtues akademikë të Universitetit të Peruxhias.

Koordinatorë shkencorë për dy institucionet janë caktuar Ilir Beqaj dhe Prof. Gianni Bidini.

Gjatë një kontrolli të kryer në faqen e ‘facebook’ të Ministrisë së Shëndetësisë vërehet postimi i një albumi fotografik me të njëjtin titull dhe në të njëjtën datë.

Në këto fotografi vërehet shtetasi Ilir Rrapaj në krah të zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në anën e delegacionit të Ministrisë së Shëndetësisë ku ndodhet dhe ministri Ilir Beqaj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.

Kjo foto duket se shërbeu për SPAK edhe si një indicie për të ndjekur të gjithë linjën e afeksionit që lidhi më pas ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendësin e tij me biznesmenin që në vitin 2015 do të fitonte koncesionin shumëmiliardësh të ‘Sterilizimit’.

Pikërisht në këtë foto, në sallë ndodhet i ulur edhe një tjetër personazh, i cili do të rezultojë nga hulumtimet e SPAK, se është një tjetër aktor i rëndësishëm i kompanisë ‘SaniService’, kompania, që siç thamë në vitin 2015 do të fitonte koncesionin e sterilizimit.

Ky person del të jetë Umbro Staccini (Umbro Staçini), njeriu që siç shikohet edhe në këtë foto të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër” në vitin 2018, i jepet nga Departamenti i Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë, certifikata e mirënjohjes, për kontributin e çmuar që sipas këtij Fakulteti ai ka dhënë në dhurimin dhe sigurimin e pajisjeve kirurgjikale në Shërbimet Universitare të Kirurgjisë.

“Në njërën nga fotografitë në dukje të një salle me karrige ku ndodhen të ulur ministri Ilir Beqaj, zv/ministri Klodian Rjepaj, shtetasi Ilir Rrapaj, vërehet dhe një person tjetër, në dukje si shtetasi Umbro Staccini. Këta janë aktorët me të rëndësishëm të koncensionarit ‘SaniService’. Gjithashtu vërehet në dukje edhe Prof. Gianni Bidini”, thuhet më tej në dosje.

Umbro Staccini, duket se ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në takimet që më pas Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, do të zhvillojë në Umbria të Italisë me drejtues të rëndësishëm të këtij rajoni.

Siç ishte edhe pritja që drejtuesja e këtij rajoni, i bëri ministrit Beqaj, në fund të vitit 2014, ku edhe në këtë takim, sipas fotove të verifikuara nga SPAK, nuk mungon biznesmeni Ilir Rrapaj që duket se ka shërbyer si një lloj xholi midis drejtuesve të lartë shqiptarë të shëndetësisë dhe Umbro Staccinit, që nga ana e tij ka shfrytëzuar lidhjet me politikën vendase, me qëllim për të konkretizuar marrëveshje të rëndësishme në fushën shëndetësore midis Shqipërisë dhe Italisë.

Menjëherë pasi është firmosur ky memorandum bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Rajonit të Umbrias, sipas dokumentacionit që ka siguruar SPAK, në muajin prill 2014 ministri Ilir Beqaj thërret në takim shefat e shërbimit të Kirurgjisë.

Qëllim i takimit del të jetë mundësia e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit.

Marrëveshja ndërkohë u dërgohet edhe katër dikastereve të tjerë ministrorë që firmosin pa hezitim.

“Me shkresën Nr. 2202 Prot., datë 2 Prill 2014 të Ministrit të Shëndetësisë llir Beqaj, drejtuar Shefave të Shërbimit të Kirurgjisë, u kërkohet atyre takim në Ministrinë e Shëndetësisë më datë 4 Prill 2014 ora 16:00, për strategjinë e Sistemit Shëndetësor, ku në bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias Itali, organizojnë një takim në lidhje me mundësinë e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit”, thotë dosja hetimore.

Në muajin maj të vitit 2014, duket se tashmë se gjithçka është e kopsitur për sa i përket marrëveshjes së sterilizimit midis Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë në njërën anë dhe rajonit të Umbrias në Itali në krahun tjetër.

Madje sipas dokumentacionit të siguruar nga SPAK, në Shqipëri vjen edhe vetë Presidentja e Rajonit të Umbrias, për të cilën shtrohet edhe një pritje zyrtare.

Por ndërsa memorandumi i bashkëpunimit kishte si synim pjesëmarrjen e 20 kompanive italiane të interesuara për të ofruar shërbimet e tyre në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, çuditërisht në vendin tonë vjen vetëm njëra prej këtyre kompanive.

Sipas dosjes hetimore “më 21 deri më 23 Janar 2014 në Shqipëri vjen delegacioni italian me kryesues Prof.Gianni Bidini të Universitetit të Peruxhias, si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit nënshkruar në datat 16-18 Dhjetor 2013”.

“Ku nga këqyrja e e-mail eve të zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj rezulton se pjesë e këtij delegacioni italian kanë qenë edhe Ilir Rrapaj dhe Umbro Staccini. Dokument që është përkthyer dhe është futur në dosjen e përgatitjes së projektit të koncesionit, por në të cilin janë hequr emrat e llir Rrapaj dhe Umbro Staccinit, si pjesë e delegacionit”.

Por ndërsa ishin bërë gjithë këto ecejake ministrore për të formuluar një studim fizibiliteti cilësor dhe të qëndrueshëm për të siguruar sterilizimin e duhur të pajisjeve kirurgjikale në spitale, duket se Ministria shqiptare e Shëndetësisë, zgjodhi rrugën më të shkurtër për ta bërë sa më shpejt këtë studim.

Duke përdorur pjesë të studimit të fizibilitetit të përgatitur po vetë nga delegacioni italian i mbërritur në Tiranë, ku pjesë e këtij delegacioni ishin edhe Ilir Rrapaj dhe Umbro Staccini, dy partnerët kryesorë të ‘SaniService’, që në vitin 2015 do të fitonin koncesionin prej 100 milionë euro të sterilizimit, çka rriti dyshimin te SPAK, mbi një klientelizëm të mundshëm midis tyre dhe drejtuesve të Ministrisë Shqiptare të Shëndetësisë; si dhe një paracaktim të fituesit të koncesionit.

“Dokumenti është përkthyer dhe është futur në dosjen e përgatitjes së projektit të koncesionit, por në të janë hequr emrat e llir Rrapaj dhe Umbro Staccini si anëtarë të delegacionit.

Gjithashtu pjesë të këtij dokumenti janë bërë edhe pjesë e Studimit të Fizibilitetit të procedurës së dhënies se koncesionit”, thotë dosja. Por ato që do ta nxirrnin zbuluar zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, do të ishin komunikimet e tij me e-mail me biznesmenin Ilir Rrapaj, komunikime të cilat i përkasin viteve 2013-2014, ku del se është ky i fundit që e udhëzon zv/ministrin e Shëndetësisë se çfarë duhet të bëjë për koncesionin e sterilizimit.

“Nga të dhënat e e-maileve të periudhës dhjetor 2013-Mars 2014 midis Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, vihet re se Rjepaj merr udhëzime nga Ilir Rrapaj për veprimet që duhet të kryejë në lidhje me Rajonin Umbria.

Po kështu nga komunikimet del se zv.ministri i Shëndetësisë ka marrë nga Rrapaj edhe draftet e studimit të Universitetit të Peruxhias, që më pas janë bërë pjesë e studimit të fizibilitetit.

Në këto komunikime Ilir Rrapaj në e-mailet e dërguara ka të shënuar se është ‘Promotor biznesi-Confimi Italia’ dhe adresë e-mail [email protected], website www.investital.com.

Në fundin e këtyre e-maileve gjendet logo e kompanisë Investital ashtu siç është edhe në dokumentet e ofertës së bërë nga bashkimi i operatorëve ekonomikë të kryesuar nga Servizi Italia.

Në tekstin e dërguar nga Ilir Rrapaj për Klodian Rjepaj kuptohet se kanë njohje dhe marrëdhënie të afërt miqësore me njëri tjetrin”, thuhet në dosje.

Janë pikërisht këto marrëdhënie miqësore dhe kjo shpirtmadhësi e treguar nga ministria e kohës e Shëndetësisë, që çoi SPAK drejt një tjetër investigimi, atë, të gjetjes së fijeve të padukshme të këtij flirtimi që i siguroi biznesmenit Ilir Rrapaj, koncesionin prej 100 milionë euro të Sterilizimit.

Hulumtim rezultoi surprizues edhe për vetë hetuesit, të cilët zbuluan se si zv/ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj kishte përfunduar studimet në të njëjtin auditor me biznesmenin Ilir Rrapaj.

Rjepaj rezulton po kështu se studimet i ka kryer në intervale të ndryshme kohore, madje duke përsëritur edhe vitin akademik.

“Me vendimin e datës 2 Nëntor 2021, në Universitetin e Mjekësisë u krye këqyrja e dokumenteve të mbajtura për ndjekjen e studimeve nga shtetasi Klodian Rjepaj.

Nga kjo këqyrje rezultoi se Klodian Rjepaj ka ndjekur studimet në vitet akademike 1990-1998, të ndara ne dy periudha. Fillimisht ai rezulton se ka ndjekur studimet në vitet 1990-1994. Në vitin akademik 1994-1995 ai del se nuk ka frekuentuar studimet. Një vit më pas në sezonin 1995-1996, Rjepaj ka shënimin ‘Përsërit vitin’.

Po kështu për vitin 1996-1997, ai nuk ka shënime në regjistër.

Nga këqyrja e mëtejshme rezulton se Klodian Rjepaj ka kryer studimet në vitet akademike 1996-1997, 1997-1998 kur dhe është diplomuar.

Ajo që bie në sy në këto regjistra është se në këto vite ka ndjekur studimet akademike në mjekësi edhe shtetasi Ilir Fejzo Rrapaj, nga ku del se në ‘Regjistri 8 Mjekësi’, ku ndodhet emri i shtetasit Klodian Rjepaj, dy rreshta mbi të është i shënuar emri i shtetasit Ilir Rrapaj, të cilët për vitet akademike 1991-1992, 1992-1993, 1993-1994, kanë ndjekur bashkë vitet akademike”, thuhet në dosje.

Interesant është në hetimin e kryer nga oficerët e policisë gjyqësore, fakti që dy studentët Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, i kanë vazhduar dhe ndërprerë studimet në mjekësi në të njëjtën periudhë. Ndërkohë që miqësia e tyre studentore, si në një simbiozë vëllezërish gjaku, përsëritet edhe në vazhdim, kur të dy rezultojnë se kanë përsëritur sezonin akademik, në Fakultetin e Mjekësisë, në të njëjtin vit.

“Për vitin akademik 1994-1995 ashtu si Klodian Rjepaj, edhe shtetasi Ilir Rrapaj nuk ka frekuentuar studimet.

Po kështu në vitin akademik 1995-1996 ashtu si Klodian Rjepaj edhe shtetasi Ilir Rrapaj ka shënimin ‘Përsërit vitin’. Edhe për vitin akademik 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër”, deklaron Prokuroria në dosje.

Por ky regjistër ka rezultuar një xhevahir i vërtetë për gjetjet e SPAK, pPasi ndërsa kërkonin për emrat e Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, përpara tyre shfaqet edhe një tjetër zbulim ngazëllues, një emër që duket se plotëson trion e atij që 18 vite më pas do të ishte koncesioni i Sterilizimit.

Ky emër do të ishte Artan Lleshi. Edhe ky në të njëjtin kurs studentësh me Rjepaj dhe Rrapaj.

“Në ‘Regjistrin 7’, ku ndodhet emri i shtetasit Ilir Rrapaj, tre rreshta më sipër vërehet emri i shtetasit Artan Lleshi, i cili ka përfunduar studimet në vitin akademik 1994-1995.

Artan Lleshi rezulton të jetë Drejtor në kompaninë koncesionare ‘SaniService’ që nga krijimi i saj.
Gjithashtu, ai është Administrator i kompanisë ‘Gamaservice’, kompani e cila ka transaksione në shitjet e kryera nga koncesionari ‘SaniService’ për periudhën prill 2020-dhjetor 2021”.

Në lidhje me njohjen e Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, SPAK mori në pyetje edhe një bashkëstudente dhe kolege të ish-zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

D.N, pohoi se Rjepaj dhe Rrapaj ishin të dy nga Vlora.

Miqësi që duket se ka lindur në këtë qytet dhe është përforcuar më pas edhe në kohën e studimeve.

“Më datë 22 dhjetor 2021 në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale u pyet edhe shtetasja D. N.

Ajo deklaron se: ‘Klodianin e kam pasur shok gjatë kohës së ndjekjes së studimeve universitare në Universitetin e Mjekësisë në vitet 1990-1992.

Në dijeninë time Klodiani është larguar një vit në Greqi dhe është rikthyer përsëri më vonë për të kryer studimet. Klodiani është nga Vlora dhe ka bërë shkollën fillore me bashkëshortin tim. Ilir Rrapajn e njoh pasi është nga Vlora dhe kemi qenë studentë bashkë në fakultet. Iliri ka qenë në një brez me mua dhe Klodianin”, thuhet në dëshminë e bashkëstudentes.

Pra, tashmë për Prokurorinë e Posaçme ishte e qartë, se miqësia e hershme midis Rjepaj dhe Rrapaj që datonte nga koha kur ata ishin shokë në qytetin e Vlorës dhe më pas në të njëjtin kurs studimi në Fakultetin e Mjekësisë, kishte ushqyer më pas koncesionin e Sterilizimit.

Rjepaj, në cilësinë e zv/ministrit të Shëndetësisë kishte rigjetur pas 18 vitesh edhe njëherë shokun e vjetër të bankave të shkollës, tashmë biznesmen, për të krijuar këtë lidhje klienteliste.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb