Nga: ENRIK MEHMETI

VLORË- Një grupim qytetarësh dhe “Lëvizja Për Vlorën” që janë kundër koncesionit të parkimeve, kanë depozituar ketë të premte një kallëzim penal kundër ish-kryetarit të bashkisë Shpëtim Gjika, kryetarit aktual Dritan Leli, Këshillit Bashkiak të 2009- e në vazhdim, Prefektes Etjona Hoxha dhe kompanisë TIS Park, për shkelje të të Drejtave Themelore të Qytetarëve, cenimin e rendit publik, shpërdorim detyre, vjedhje dhe dëm financiar dhe moral të qëllimshëm ndaj qytetit dhe qytetareve vlonjate.

Shkak për padinë, mësohet të jetë bërë pretendimi i tyre se në dhënien e koncesionit të parkimeve janë shkelur shumë ligje në mënyrë të qëllimshme dhe paligjshmëria e konstatuar me shkeljen e Kodit Penal, specifikisht neni 293 “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, tejkalim të kompetencave ligjore nga TIS Park, dhe shpërdorimi i detyrës me mosveprim nga organet vendore për ta parandaluar dhe ndaluar këtë paligjshmëri.

Geron Gumbardhi, avokati i lëvizjes është shprehur se kallëzimi përmban disa pika të cilat janë shkelur ndërkohë, Elidon Habilaj përfaqësues i Lëvizjes Për Vlorën ka bërë të ditur se në ditët e ardhshme do të ketë të tjera zhvillime kundër këtij koncesioni abuziv dhe kurruptiv.

Vasil Bedinaj, kreu i Shoqatës së Operatorëve turistikë është shprehur se Tis Park dëmtoi rëndë këtë vit sektorin e turizmit por edhe xhepat e qytetarëve në një kohë që infrastuktura e qytetit është e shumë e dobët.

Koncesioni i shumëpërfolur i parkimeve ka nisur operimin në 22 rrugë të qytetit të Vlorës në muajin gusht, pas përfundimit të fazës informuese, ndërsa kontrata koncesionare e nënshkruar me Bashkinë e Vlorës është me afat 15 vjeçar.

Nga ky koncesion Bashkia e Vlorës përfiton vetëm 100 mln lekë të vjetra në vit dhe 2% të të ardhurave vjetore të kompanisë.

Qytetarët vlonjatë duhet të paguajnë 50lek/orë për qëndrimin në vendparkim, ndërsa në rast mos pagese ndëshkohen me tarifën shtesë 4500 dhe bllokim gome deri në shlyerje të pagesës.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb