Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Ministria e Energjetikës shpall zyrtarisht fituesen e koncesionit për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në lumin Vjosë. Do të jenë turqit e kompanisë “Çinar-San Turizëm” ata që do të shfrytëzojnë digën e Poçemit për 35 vjet për prodhim të energjisë. Në njoftimin publik të prokurimeve, ministria njofton përfaqësuesin ligjor të kësaj kompanie Yűksel Çinar, se kërkesa për marrjen me koncesion të hidrocentralit “Poçem”, është pranuar.

Kompania turke, një bashkim mes dy shoqërive “Çinar San Turizm” dhe “Ayen Enerji”, sipas ministrisë së Energjisë, ka qenë pjesëmarrësja e vetme në tender. Në muajin korrik të vitit të kaluar, këto dy shoqëri ishin shpërblyer nga qeveria me një bonus prej 8 përqind të pikëve si propozuesit e koncesionit të pakërkuar.

Vendimi i qeverisë për dhënien me koncesion për ndërtimin e digës në Poçem u kundërshtua nga shoqatat e ambientalistëve në vend. Por edhe Parlamenti Europian, në rezolutën për Shqipërinë të miratuar në mesin e muajit prill, i ka rekomanduar qeverisë të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe të marrë në konsideratë krijimin e saj si Park Kombëtar.

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, kryeministri Rama u premtoi banorëve të zonës se luginën e Vjosës do ta transformonte në një park kombëtar. Por sipas marrëveshjes me kompaninë fituese për 36 muaj pas marrjes së lejes se ndërtimit diga mbi Pocem do të përfundojë. Investimi i parashikuar ka një vlerë prej mbi 100 milionë euro dhe hidrocentrali i ri pritet të prodhojë 305 milionë kilovat orë energji në vit. HEC-i i Poçemit është i dyti që po ndërtohet mbi lumin Vjosë pas atij të Kalivaçit.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: