TIRANE– Në Tiranë zhvilloi punimet të premten konferenca e III kombëtare e Financave, ku pjesëmarrës ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj, si dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Guvernatori i BSH-së, Sejko tha se rritja e kreditimit stimuloi rritjen ekonomike në 3.5 %”. Sipas tij, Banka e Shqipërisë synon krijimin e stabilitetit financiar si një ndër faktorët mbështetës të ekonomisë. Guvernatori në fjalën e tij, po ashtu vuri në dukje se mbështetja për ekonominë vjen nga rritja e kreditimit, ndaj për të “kredia është oksigjen”.

“Synimi dhe roli që ne kemi si institucion është stabiliteti financiar. Nuk mund të mbështesim ekonominë pa kredinë, pasi kredia është një ‘oksigjen’ për ekonominë. Rritja e kreditimit ka stimuluar rritjen ekonomike në 3.5 %. Reformat strukturore të ndërmarra nga BSH dhe institucionet e tjera kanë nevojë për bashkëpunim dhe kërkime. Kemi shume tema, shumë studime cilësore që janë akoma në proces. Do të vazhdojmë të bëjmë punë studimore në funksion të objektivave”, deklaroi Sejko.

Ndërsa Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj tha se krijimi i një baze të fortë ligjore për përgjegjësit e dëmeve ekonomike të shkaktuara në buxhetin e shtetit është i domosdoshëm.

“Ne gjykojmë se asnjë reformë apo proces në Shqipëri nuk do të arrijë të zbatohet plotësisht dhe të ketë sukses, madje edhe reforma në drejtësi nuk do të mund të luftojë me efektivitet korrupsionin në rast se nuk vendoset me ligj përgjegjësia për shkelësit e pronës publike”, deklaroi Leskaj.

Sipas tij, KLSH ka rekomanduar që qeveria të paraqesë tregues buxhetorë të qartë dhe të besueshëm dhe Kuvendi të miratojë ngritjen e Këshillit të pavarur Fiskal për të përafruar kornizat rregullative buxhetore me praktikat rregullative të BE-së, sidomos shtoi ai, për krjimin e një rregulli efiçent në menaxhimin e financave publike.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: