Samiti i OKB-së për klimën “COP29” filloi të hënën në Baku, në Azerbajxhan, me një thirrje drejtuar botës për të ngritur objektivin e financimit të klimës në mënyrë që të zbuten ndikimet e ndryshimeve klimatike.
“Kolegë, jemi në rrugën e shkatërrimit. Por këto nuk janë probleme të së ardhmes. Ndryshimet klimatike janë tashmë këtu… Ne kemi nevojë për shumë më tepër nga të gjithë ju”, tha Presidenti i COP29 Mukhtar Babayev,” në fjalën e tij hyrëse.
Hapja e samitit, mbledhja më e madhe në botë për të diskutuar ndryshimet klimatike, u trajtua edhe nga presidenti i samitit të mëparshëm në Dubai (COP28), Sulltan Ahmed Al-Jaber dhe Sekretari Ekzekutiv i Konventës në Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), Simon Stiell.
Konferenca do të mbahet në kryeqytetin e Azerbajxhanit deri më 22 nëntor dhe do të marrin pjesë liderët më të lartë politikë nga e gjithë bota për të rritur synimin e financimit të klimës, ndër objektivat kryesore të saj.
Të tre liderët këmbëngulën në nevojën e bashkëpunimit global për të bërë një botë më të gjelbër dhe për të zbutur ngrohjen globale.
Ata theksuan gjithashtu nevojën për të rritur financimin dhe për t’u ofruar vendeve mjete më të mëdha për të përmirësuar zbutjen e emetimeve dhe përshtatjen ndaj goditjeve gjithnjë e më katastrofike klimatike.
“COP29 është një moment i së vërtetës për Marrëveshjen e Parisit. Do të testojë angazhimin tonë ndaj sistemit shumëpalësh të klimës. Tani duhet të tregojmë se jemi të përgatitur për të përmbushur objektivat që i kemi vendosur vetes”, tha presidenti i COP29.
Al-Jaber, nga ana e tij, foli për nevojën që financimi të bëhet lehtësisht i aksesueshëm për vendet në zhvillim dhe bëri thirrje për unitet veçanërisht në skenarin aktual botëror me konflikte në pjesë të ndryshme.
“Ju bëj thirrje të gjithëve që të dëshmoni edhe një herë se ne mund të bashkohemi, të veprojmë dhe të ofrojmë … Le të mbizotërojë pozitiviteti dhe le të fuqizojë procesin. Lërini veprimet të flasin më shumë se fjalët”, nënvizoi ai.
Më në fund, Sekretari Ekzekutiv i UNFCCC Stiell bëri thirrje për një konsensus mbi një objektiv të ri financimi global për luftën kundër ndryshimeve klimatike, sepse “asnjë vend nuk është imun” ndaj ngrohjes globale.
“Këtu në Baku, ne duhet të biem dakord për një synim të ri financiar global për klimën. Nëse të paktën dy të tretat e kombeve të botës nuk mund të përballojnë uljen e shpejtë të emetimeve, atëherë çdo komb paguan një çmim brutal”, paralajmëroi ai.
“Pra, le të heqim dorë nga ideja se financimi i klimës është bamirësi. Një objektiv i ri ambicioz për financimin e klimës është tërësisht në interesin vetjak të çdo kombi, duke përfshirë më të mëdhenjtë dhe më të pasurit”, tha ai.
“Ne duhet të punojmë më shumë për të reformuar sistemin financiar global. Duke u dhënë vendeve hapësirën fiskale për të cilën kanë aq shumë nevojë”, tha më tej Stiell.
Ai nënvizoi se nëse nuk do të ndodhnin ndryshimet e nevojshme, e gjithë ekonomia globale do të gjunjëzohej dhe se ata “nuk mund ta lënë Bakun pa një rezultat thelbësor”.
(A.A/BalkanWeb)