SHBA– Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump ka mbajtur sot konferencën e parë për shtyp që nga zgjedhjet presidenciale. Ai është ndalur tek prioritetet gjatë qeverisjes së tij, duke u shprehur se shumë kompani të prodhimit të makinave apo industrinë e farmaceutikës do t’i kthejë në Atdhe.

Trump ka pranuar sot për herë të parë se hakerimet përpara procesit zgjedhor të tetë nëntorit janë bërë nga Rusia. Por sipas tij, për shkak të gabimeve të administratës demokrate, Shtetet e Bashkuara po hakerohen edhe nga grupe të tjera. Trump refuzoi të kritikonte homologun e tij rus Vladimir Putin për këtë akt.

“Mendoj se ishte Rusia, por mendoj se ne jemi hakeruar edhe nga të tjerë. Rusia nuk është i vetmi vendim që shënjestrën Shtetet e Bashkuara. Demokratët nuk kanë bërë mjaftueshëm për të rritur sigurinë e programeve të mbrojtjes kompjuterike”, u shpreh ai.

Trump është pyetur nga gazetaret edhe për akuzat e bëra në disa media se Rusia ka materiale komprometuese që mund ta shantazhojnë atë gjatë detyrës.

“Kur largohem nga vendi unë jam shumë i kujdesshëm. Jam i rrethuar nga truproja dhe njerëz, të cilëve u them: ‘kini shumë kujdes se në hotelet tuaja mund të keni kamera’. Nuk i referohem këtu vetëm Rusisë, por ua them gjithmonë se në dhomat e hotelit kanë kamera të vogla të vështira për t’u pikasur. Kur unë isha në Rusi u thash shumë njerëzve, kujdes se nuk do te donit ta shihni veten ne televizor”, tha Trump.

Presidenti i zgjedhur, që do të bëjë betimin më 20 janar, mohoi edhe lidhjet e përfolura mes tij dhe qeverisë ruse.

“Unë nuk kam marrëveshje me Rusinë dhe as hua. Mund të bëjmë marrëveshje me Rusinë, por aktualisht s’kam asnjë hua dhe asnjë kontratë. Në fundjavë mu ofruan 2 miliardë dollarë për të bërë një marrëveshje në Dubai, por e refuzova. E refuzova sepse nuk doja të përfitoja nga pozita ime si president. Do të ishte konflikt interesi”, u shpreh presidenti i zgjedhur.

Trump ka deklaruar se edhe pse është i aftë të drejtojë njëkohësisht kompanitë e tij, si dhe Shtetet e Bashkuara, bizneset e shumta të Trump do të drejtohen nga djemtë e tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: