* Merkel: Ekonomia gjermane e gatshme të investojë nëse lëviz në një terren të sigurt nga pikëpamja ligjore
* Merkel: Duam fuqi punëtore, por nëpërmjet azilit nuk funksionon
TIRANË-Pas konferencës së përbashkët me Kancelaren Merkel, Kryeministri Edi Rama u ndal në “Tirana Biznes Park” ku mori pjesë në Konferencën e 8-të Ekonomike Gjermani-Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë Rama theksoi se investimet Gjermane në Shqipëri janë të mirëpritura. Ai u shpreh se këto investime krahas të ardhurave sjellin edhe një kulturë të re menaxhimi.


“Ndalesa e Kancelares Merkel në këtë park biznesi, e bën të plotë një ditë shumë të shënuar për marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë. Një urë ndërveprimi ku nuk duhet të qarkullojnë vetëm para por edhe dije të reja, kulturë e re. Praktikisht këtu parashikohet të punësohen deri në përfundim të investimit 10 mijë vet dhe pse sipërmarrja gjermane promovon një kulturë të re me punën dhe ligjin. Kancelarja Merkel e kupton pa u habitur vështirësinë e vendeve evropiane të dala pas perdes së hekur për t’u përshtatur me kulturën e punës evropiane. Shqipëria i ka rënë të paguaj edhe koston më të lartë pasi për vendin tonë izolimi ishte edhe më i shtrenjtë. Ne kuptuam të vërtetën e pamëshirshme se për ta bërë Shqipërinë si Europa do na duhej më shumë kohë se ditët që na u deshën për të rrëzuar regjimin. Nivelin e zhvillimit të vendit nuk e përcaktojnë ato që kemi por ato që dimë. Nëse ka dicka të pazëvendësueshme dhe të pakonkurrueshme në alternativën e integrimit në BE është potenciali i madh i dijes.”- u shpreh Rama.


Më tej Rama theksoi se Shqipëria është ende në luftë për të ndryshuar imazhin që është krijuar tek investitorët e huaj. “Edhe pse gjermania është një nga partnerët kryesor tregtar, jemi ende në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar tek investitorët për vendin tonë për vite të tërë si dhe korrupsionin në drejtësi që përbën një kancer të vërtet në shtetin shqiptar. Kthesa e nisur në arsim duke ndjekur me besim të madh modelin gjerman për arsimin profesional do filloje të japë rezultate.


Reformat tona janë duartrokitur nga të gjitha institucionet ndërkombëtare financiare. Janë investimet e huaja direkte ato që do bëjnë diferencën për të kaluar nga një model i vjetër dhe i shteruar ekonomik që kishte burime remitancat në një model ekonomik me burime rritje të qëndrueshme. Jemi gati të mirëpresim investimet gjermane në çdonjërën nga këto fusha.”- u shpreh Rama.

Me humor kryeministri ai u shpreh se shqiptarët gëzohen më shumë kur fiton kampionatin Gjermania sesa kur fiton zgjedhjet PS. “Kur gjermania fiton kampionatet ka më shumë shqiptarë të gëzuar se kur Partia Socialiste fiton zgjedhjet.”-u shpreh Rama.

Nje tjeter babute e Rames ishte edhe ngjyra e purpurt e Deutsche Telekom e cila do te vesh AMC.
“Ne jemi gati të mirëpresim investimet gjermane në çdonjërën nga këto fusha, ashtu sikundër tifozët e shumtë të kombëtares gjermane të futbollit, presin me padurim veshjen e kompanisë celulare AMC, me uniformën e purpurt të Deutsche Telekom. Sidoqoftë, ngjyra e T-Mobile është një arsye më shumë që ne socialistët në Shqipëri të jemi më të paduruarit në këtë padurim të përgjithshëm.”- u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “Asnjë organizatë e madhe nuk është asnjëherë e çliruar nga problemet edhe sfidat dhe se problemet që po has tani BE-ja janë më të mëdhajat”.

“Europa është një forcë për mirë, apo është një forcë për keq? Unë vetë e di përgjigjen dhe kancelarja Merkel është një pjesë e mirë e përgjigjes. Për ata që pyesin pse dreqin duam të bëhemi pjesë e BE-së, ,ne shqiptarët e kujtojmë shumë mirë, se kur diskutohej çështja e statusit të vendit kandidat kishte shumë kundërshtime, por kancelarja Merkel e pa bigger picture”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kancelarja Merkel falënderoi për mikpritjen duke shtuar se marrëdhëniet e mira mes qeverive duhet të pasqyrohen me marrëdhënie të mria mes njerëzve, ku bëjnë pjesë edhe ato ekonomike.

“Falënderim për pritjen kaq miqësore në këtë vned. Mendoj se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk duhen parë vetëm mes qeverive. Por bëhet fjalë edhe marrëdhëniet mes njerëzve dhe këtu bëjnë pjesë edhe ato ekonomike. Ky aktivitet zhvillohet për të tetën herë, kjo reflekton interesin në ngritje të Gjermanisë. 218 mln euro investime, që ka mbërritur në këtë nivel si pasojë e prekjeve të shumta, por është e aftë të rritet edhe më shumë. Ne kemi marrëdhënie të mira, sikurse është aeroporti, industria e tekstileve. Ekonomia gjermane është e gatshme të investojë nëse ka përshtypjen se lëviz në një terren të sigurt nga pikëpamja ligjore, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron Shqipëria si vend i investimit”, tha Merkel.

Kancelarja gjermane tha gjithashtu se “Punëmarrësit shqiptarë janë të rinj, të motivuar, të arsimuar dhe se sipërmarrjet gjermane ofrojnë mundësi të mëdha. “Mes nesh edhe bursantë të rinj. Praktika në sipërmarrjet gjermane ofron mundësi të mëdha që të rinjtë e vetëdijshëm të bëjnë përpara. Momentalisht një numër shqiptarësh shkojnë për azil në Gjermani. Ky është paradoks, Shqipëria ka marrë statusin kandidat, por ky status nuk mund të merret, kur ka ende azilkërkues që akuzojnë shtetin për ekonominë”, tha ajo.

Merkel sqaroi gjithashtu deklaratat e saj të bëra gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama për çështjen e fuqisë punëtore që kërkon Gjermania.

“Sigurisht që Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore, por kushtet duhen qartësuar. Rruga e azilkërkimit nuk funksionon. Mundësi punësimi për fuqinë punëtore të kualifikuar. E mirë që landet federale të bashkëpunojnë me Shqipërinë. Dëshiroj t’ju inkurajoj zoti Kryeministër të vazhdoni në këtë rrugë. Gjermania ka si shtyllë të dytë dhe mjaft të rëndësishme, formimin profesional, mendoj se kjo do të krijonte mundësi tek të rinjtë. Dëshiroj t’ju inkurajoj në këtë rrugë. Në Gjermani do të mund të mbështesnim, formimin profesional, si infermierët, duke bërë ekuvailimin e diplomave”, tha Merkel.

Kancelarja falënderoi kryeministrin Rama për krijimin e lehtësirave për sipërmarrjet. “Në Shqipëri sipërmarrjet jetojnë në një vend jo aq të lehtë. Falënderim për kryeministrin për kapërcimin e diferencave të së shkuarës. Perspektiva për një jetë më të mirë në rajon, sigurisht që mund të zhvillohet më tej”, tha Merkel.

Më tej Merkel theksoi se Shqipëria dhe Gjermania luftojnë për të njëjtat vlera.“Shqipëria nuk është thjesht kandidat për në BE por edhe natare e NATO-s. Ne luftojmë për të njëjtat vlera. Bashkëpunimi ekonomik është vendosur në shumë të përbashkëta që kemi.”- u shpreh Kancelarja.

(a.n/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: