Po mban punimet Konferenca e parë ndërkombëtare mbi Ekonominë e globalizmin e organizuar nga Universiteti “Luarasi”.
Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u shpreh se ekonomia vendase ka shfaqur një qëndrueshmëri mbresëlënëse në ditët e fundit.
“Përballimi i pandemisë dhe jo vetëm, ishin sfidë për të gjithë rajonin, por ne përveç stabilitetit kemi përshpejtuar edhe rritjen ekonomike. Punësimi dhe pagat janë rritur përkatësisht me 3.9 dhe 15 përqind, ndërsa shkalla e papunësisë ra në minimumin historik 10.9 përqind”, tha ai.
Sejko u shpreh se tjetër zhvillim pozitiv ishte rritja e interesit të huaj për vendin tonë, duke shtuar se Shqipëria u shpall në vitin 2023 si vendi i 3 në botë për nga rritja e shpejtë e turizmit. Guvernatori u ndal edhe tek investimet e huaja direkte, të cilat janë rritur nga viti në vit.
Një nga sfidat me të cilat përballemi, sipas Sejkos, është edhe plakja e popullsisë dhe për pasojë fuqisë punëtore.
“Banka e Shqipërisë ka kontribuar aktivisht në këtë histori duke adresuar në kohë inflacionin. Shqipëria ka një potencial për zhvillim por duhet një bashkëpunim dhe angazhim i të gjithë aktorëve. Banka e Shqipërisë është jo vetëm garantues i stabiliteti financiar, por edhe katalizator i rritjes ekonomike”, tha ai.
(BalkanWeb)