Pas vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, ka ardhur edhe një reagim nga Partia Demokratike.

Deputeti Enkelejd Alibeaj përmes një komunikimi për mediat tha se ky veprim faktoi se reforma në drejtësi ka vdekur. Mes tjerash, Alibeaj nënvizoi faktin se Donika Prela është një vegël në duart e Kryeministrit Rama.

Deputeti demokrat theksoi faktin se Donika Prela i duhet kryeministrit Rama për ta mbrojtur atë nga drejtësia dhe për të mbyllur dosjet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe Damian Gjiknurit.

Deklarata:

“Kush ka patur edhe fijen më të vogël të besimit se organet e vetingut do të përjashtonin nga sistemi i dejtësisë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e të lidhur me krimin, sot është bindur se vetingu funksionon si një vegël politike në duart e Edi Ramës. Vendimi për mbajtjen në sistemin e drejtësisë të Donika Prelës është konfirmimi se reforma në drejtësi ka dështuar dhe se për të mbrojtur edi Ramën nga drejtësia e vërtetë përbuzet dhe poshtërohet edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën se Donika Prela, brenda një kohe të shkurtër, ka shitur prona me çmim 4 herë më të lartë sesa I ka blerë, duke vënë në dukje se me të ardhurat e deklaruara nuk justifikohej as blerja lirë e disa apartamenteve. Vezhguesit Ndërkombëtarë gjetën se bashkëshorti i Donika Prelës ka fshehur të ardhurat, ka punuar në të zezë, duke mos paguar taksat për shumë vjet, duke mashtruar shtetin shqiptar, me dyshimin e fortë të pastrimit të parave nga korrupsioni. Komisioni i vetingut, ndryshe nga rastet e tjera identike me të Donika Prelës, nuk i hetoi këto fakte, por mbajti në sistemin e drejtësisë një prokurore shërbëtore të Edi Ramës, me pasuri te pajustifikuara dhe qe i ka sherbyer krimit, nga Emiljano Shullazi tek banda e Avdylajve dhe deri tek shkaterrimi i dosjes se Saimir Tahirit.

Vendimi për Donika Prelën është marrë në konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të plotë të ligjit, pasi nga verifikimi i kamerave të sigurisë të prokurorisë së krimeve të rënda, Komisioni i Vetingut do të kishte zbuluar se Donika Prela është takuar rregullisht me anëtaren e trupit të saj gjykues, Valbona Sanxhaktari në periudhën nëntor dhjetor. Mbajtja e Donika Prelës është rasti tipik kur drejtësia është e kapur nga krimi dhe politika në shërbim të tij.

Partia Demokratike ka denoncuar faktin se me firmën e Donika Prelës, si drejtuese e prokurorisë së Durrësit, është liruar nga burgu drejtuesi I bandës së Avdyljave, Astrit Avdyli, në makinë e të cilit u gjet një armë pa leje janarin e vitit që shkoi. Shërbimi kriminal që Donika Prela ka kryer për bandën që blinte vota për llogari të Edi Ramës në qarkun e Durrësit gjendet në dosjen 339, si pjesë e përgjimeve të bandës së Avdylajve.

Mbajtja e Donika Prelës në sistemin e drejtesise është konfirmim se reforma në drejtësi ka vdekur dhe se drejtësia e re është një vegël që i shërben pushtetit e jo të vertetës. Së bashku, ne duhet t’i japim fund kapjes së drejtësisë që mbron politikanët e korruptuar, me lidhje kriminale. Data 16 shkurt është një mundësi që ne të mos pranojmë më një drejtësi që i shërben atij që ka më shumë para dhe më shumë pushtte!”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb