Nga INA K.ZHUPA
Në një fjalim që Arben Ahmetaj dha ditën e shtunë në krah të Elvis Rroshit, ku ky i fundit mbajti edhe fjalën e mirëseardhjes për ministrin konfirmuam gjithçka që opozita e ka paralajmëruar dhe qytetarët e dinë tashmë.

Ligji i dekriminalizimit dhe vullneti për të mos e zbatuar. Elvis Rroshi është shkarkuar nga Rama, pas vendimit të KQZ që e kapte ligji i dekriminalizimit. Megjithatë, kjo nuk e pengon Ahmetajn që ta quajë gjithë kohën kryetar dhe jo vetëm kaq, por ta urojë për punën e tij si dhe të parashikoj se do punojë me të për projekte pas fitores së zgjedhjeve.

Ahmetaj është ministri i Ramës dhe siç na konfirmoi vetë Rama me ngjarjet e fundit me Ylli Manjanin, asgjë nuk thuhet pa lejen e tij dhe konfirmimin e zyrës së tij të komunikimit. Pra, Rama pavarësisht letrës që u detyrua të firmoste, e do të inkriminuarin e të dënuarin për shumë vepra, Rroshi, si kryebashkiak dhe si pjesë e Partisë Socialiste. Kjo konfirmon atë që opozita dhe Lulzim Basha e kanë thënë shpesh edhe me shembullin e Arben Ndokës përpara, që vullneti i Ramës për dekriminalizimin është zero dhe lidhja e tij me kriminelët është organike dhe shumë e fortë.

Reforma në drejtësi dhe vullneti për ta kapur politikisht dhe për ta kontrolluar. Elvis Rroshi ka hapur çështje në Gjykatën Kushtetuese përsa i përket heqjes së mandatit të tij. Ndërkohë, Rama përmes ministrit të tij i del në krah dhe shpreh bindjen që ai do vazhdojë punën si kryebashkiak. A nuk është një sinjal i qartë se kush është dëshira dhe vullneti i Ramës për vendimin e gjykatës?

Flet shumë Rama për reformën në drejtësi, por me vepra tregon të kundërtën e moskapjes dhe lirisë së gjyqësorit. Ish-ministri i tij na konfirmoi marrëdhëniet e Ramës me gjyqësorin që ishin telefonata kërcënuese, përgjime nga policia dhe një terror politik me akuza dhe me metoda të tjera. Rama dërgoi Ahmetajn që të bënte shfaqjen e sukseseve imagjinare me Rroshin, duke treguar qartë që ai është pjesë e skuadrës së tij që do ta mbrojë deri në fund. Gjyqësori duhet t’i përshtatet këtij qëndrimi të Ramës ose ditë të këqija do i presin.

Zgjedhjet e ardhshme dhe vullneti për t’i bërë bashkë me krimin dhe të kontrolluara. Takimi dhe fjalimi ishte organizuar në kuadër të punës së Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme. Arben Ahmetaj është caktuar koordinator për Kavajën për zgjedhjet e 2017. Ai e bëri të qartë që do punojë me Elvis Rroshin, ndërkohë është tashmë e qartë lidhja e Rroshit me krimin dhe përkatësia e tij në këtë botë.

Ky është një konfirmim që vullneti i Ramës është që zgjedhjet e ardhshme t’i kontrollojë nëpërmjet krimit, kriminelëve, shantazheve dhe parave të krimit. Nisja e fushatës me një të prekur nga ligji i dekriminalizimit është mesazhi i qartë që zgjedhjet e lira e të ndershme janë një pamundësi me Ramën kryeministër dhe kompaninë e tij të kriminelëve, që i ka veshur me pushtet.

Gjithçka është kaq e qartë sa kushdo e kupton pse protesta është rruga e duhur dhe e vetme që kanë qytetarët. Më 18 shkurt, në shesh për të dhënë mesazhin tonë kundra Ramës, Ahmetajt, Rroshit dhe gjithë të ngjashmëve të tyre që e duan Shqipërinë kopshtin e krimit dhe të drogës.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb