TIRANE

Kelment Balili, një prej emrave më të shumëpërfolur i botës së krimit, u vetëdorëzua mëngjesin e së martës, duke i dhënë fund arratisë 2-vjecare.
Lajmin për vetëdorëzimin e të pagëzuarit me nofkën “Eksobari i Ballkanit”, e bëri publik ish-kryeministri i vendit Sali Berisha përmes një statusi në rrjetin social facebook në orën 10:25, duke kapur në befasi institucionin e Prokurorisë për Krime të Rënda.
Burimet thanë se ish drejtori i transportit rrugor në jug të vendit, u dorëzua pas negociatave 3 mujore me Policinë e Shtetit, e cila më herët dështoi në të paktën 13 operacione të zhvilluara për kapjen e tij. Me familjarët e të shumëkërkuarit ka mbajtur kontakte të vazhdueshme drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Pasi është rënë dakord mes palëve, në mëngjes herët, Balili është përshëndetur me familjarët, në fshatin e tij Stiar të Delvinës dhe në orën 08:45 minuta ka mbërritur në kthesën e Shijanit, që ndodhet mes Sarandës dhe Finiqit. Aty e priste, kryepolici Ard Veliu.
Njeriu që dyshohet si një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës në Ballkan, shoqërohej nga familjarët e tij të cilët udhëtuan me dy makina drejt vendtakimit. Edhe Veliu gjithashtu kishte shkuar në jug të vendit, me dy automjteve.

Nga makina private, “magjistari” Balili sic e pati quajtur dikur ish-ambasadori Amerikan Donald Lu, u zhvendos në automjetin e policisë, për të udhëtuar drejt Tiranës. Kur eksorta ndodhej në Fier, ish-kryeministri Berisha, dha detaje mbi lajmin e bujshëm.

Por, sërish Policia e Shtetit preferoi heshtjen. Ishte prokuroria ajo që u dorëzua, duke pranuar se Balili më në fund ishte në duart e policisë. Reagimi i parë zyrtar ishte nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ai la të nënkuptohej se Balili ishte vetëdorëzuar, sepse nuk kishte rrugë tjetër.
Rreth orës 13.30, ish-drejtori i trasporteve në jug të vendit, zbarkoi në komisariatin nr.6 në periferi të Tiranës. Aty u bë ekzekutimi i vendimit, duke u firmosur edhe procesverbali me shënimin se “ishte vetëdorëzuar”. Më pas i njohuri me nofkën Eskobari i Ballkanit u shoqërua në ambjentet e policisë së kryeqyetit.

Për arrestimin e Klement Balilit, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, grupit te strukturuar kriminal dhe pastrimit të parave, janë organizuar 13 aksione policore, të cilat nuk kanë dhënë rezultat.
Emri i Klement Balilit, është bërë shpesh objekt i debateve të forta politike, ku PD ka akuzuar maxhorancën për lidhje të forta me të si dhe për mungesë vullneti për arrestimin e tij.
Nga viti 2014, Balili ka mbajtur postin e Drejtorit të Transpotit Rrugor në Sarandë. Tri vite më vonë, ne 2017, presidenti Nishani, asokohe mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku u diskutua për shkak të mosarrestimit të të shumëkërkuarit. Vetëdorëzimi vjen në momentin kur prokurori Ened Nakuci mbylli hetimet dhe pritet që dosjen “Balili” ta dorëzojë brenda pak ditësh për gjykim në gjykatën për Krime të Rënda.

(ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb