Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi shprehet se Gjykata Kushtetuese duhet të ishte shprehur shumë më herët për aktin e qeverisë për konfiskimin e pronave të qytetarëve me VKM.
Në një intervistë për News 24, ai thotë se argumenti i qeverisë që meqenëse dy deputetë që kanë firmosur kërkesën për rrëzimin e VKM-së nuk kanë më mandat dhe si e tillë kërkesa nuk duhet pranuar, duhet të rrëzohet nga Kushtetuesja.
Cili është komenti juaj për shtyrjen e seancës së sotme në Gjykatën Kushtetuese?
Është në përpjekje për ta zvarritur procesin. Ky vendim kontrovers i qeverisë i cilësuar nga juristët, organizatat e gazetarëve dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe duhet të ishte shqyrtuar brenda 3 muajve. Brenda kësaj kohe gjykata duhet të jepte edhe vendimin. Kjo kohë e shkurtër e përcaktuar në ligj është bërë pikërisht për të eliminuar pasojat negative. Gjykata kushtetuese ka një heshtje të pafalshme.
E qëllimtë?
E pafalshme për ta shqyrtuar në mënyrë të vonuar. Priti 6 muaj dhe pastaj vendosi të caktonte datën 11 prill dhe vijmë sot me një kërkesë elementare. Nuk mund të kontestohet legjitimiteti aktiv i grupit parlamentar në rast se një deputet ka lënë mandatin. Këtë argument qeveria e ka paraqitur edhe për çështje të tjera. Kushtetuesja nuk duhet ta shtynte as edhe një ditë këtë çështje. Kushtetuesja nuk ka nevojë të verifikojë legjitimimin aktiv. Ai verifikohet në momentin që kanë depozituar kërkesën. Është një pretendim absurd nga ana e avokatëve të qeverisë. Është një tentativë për shtyrje. Shpresojmë shumë që në 26 prill gjykata ta trajtojë dhe të japë një vendim drejtësie sepse në të vërtetë është një nga çështjet më të rëndësishme që gjykata kushtetuese do të përballet.
Pse?
Sepse është një vendim kontrovers me shumë implikime kushtetuese dhe kuvendore. Është e paimagjinueshme që një qeveri të konfiskojë me vendim qeverie pronat e qytetarëve edhe bizneseve duhet një vendim ligjor siç parashikohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.