Policia e Elbasanit arrestoi një 40-vjeçar, pasi ka bërë sherr me rojën e një shkolle dhe nuk i është bindur urdhërit policor gjatë ndalimit.

Uniformat blu njoftuan se kanë vënë në pranga shtetasin E.D, banues në Elbasan.

Njoftimi i policisë:

Elbasan

Kundërshton me dhunë punonjësit e policisë të cilët ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti të çastit, por vihet në pranga 40-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasin E.D., 40 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas gjatë një konflikti të çastit me rojën e një shkolle 9-vjeçare në qytetin e Elbasanit ka thyer televizorin në korridorin e shkollës dhe në momentin që ka ndërhyrë patrulla e policisë për t’a shoqëruar, ai ka kundërshtuar me dhunë dhe ka fyer punonjësit e policisë, të cilët e kanë neutralizuar dhe vënë në pranga.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb