TIRANE

Shkëputja e marrëdhënies me vajzën e tyre siç duket ka çuar deri në marrëzi 52-vjeçarin që kreu masakrën e sotme në ‘Unazën e Re’, duke vrarë me armë zjarri vjehrrën dhe vjehrrin dhe më pas veten.

Gazetarja Dorjana Bezat në një lidhje direkte për ‘News24’ pohoi se Majlind Lila bashkëjetonte me Nevila Matën prej 1 viti në Suedi. Pasi çifti ishte njohur në Shqipëri që prej 2012-ës, kishin vendosur që të emigronin drejt Suedisë, ndërkohë që konfliktet mes tyre i çuan deri në ndarje. Bezat mes të tjerash raporton se Lila fajësonte prindërit e saj, Bujar e Valentina Mata nga Korça, për ndarjen me 36-vjeçaren. “BalkanWeb” mëson se në rrethana ende të paqarta Lila ishte kthyer pardje nga Suedia, ndërkohë që Nevila Mata kishte qëndruar. Prej vitesh çifti jetonte me qira në Selitë, ndërkohë që më pas ata ishin transferuar në Fresk. Po ashtu ‘BW’ ka mësuar se Nevila Mata kishte bërë një kallëzim për dhunë ndaj Lilës në komisariatin nr.2.

DINAMIKA
Krimi i trefishtë që tronditi Tiranën ndodhi rreth orës 07:00 në zonën e ‘Unazës së Re’ tek rruga “Kristaq Mone”. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se autori kishte shkruar në banesën e prindërve të ish-bashkëjetueses së vet dhe pasi kishte debatuar për pak çaste me ta, kishte hapur zjarr ndaj tyre me një pistoletë. Sipas policisë, Bujar Mata është gjetur i vrarë në një prej dhomave të banesës, ndërsa e shoqja Valentina (Xhevria) është gjetur e pajetë në korridor, pasi dyshohet se ka tentuar që të dalë nga shtëpia.

Pak pas krimit, në një gjendje të rënduar psikologjike për aktin e rëndë, 52-vjeçari Majlind Lila, nga Burreli, kishte qëlluar veten me një mjet prerës dhe më pas ishte hedhur sipër kangjellave të ballkonit të banesës 1-katëshe për t’u vetëflijuar. Ka qenë policia ajo që e ka transportuar drejt spitalit autorin, por ky i fundit nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Mësohet se Lila banesën e tij e kishte në Fresk, ndërsa ende nuk dihen motivet që çuan në ndarjen me vajzën e viktimave. Aktualisht policia po heton në lidhje me ngjarjen e rëndë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb