Santiago Malko, 26 vjeçari që mbeti i vdekur nga atentati në rrugën “Xhanfizo Keko” në kryeqytet, një ish-punonjës policie dhe emër jo i panjohur për forcat blu. Malko ka qenë i përfshirë në një konflikt me vëllezërit Lashi në vitin 2016.
Në këtë ngjarje të 2016 ishin të përfshirë dy vëllezërit E.L. dhe G.L, 37 dhe 29 vjeç dhe Santiago Malko të cilët kanë pasur në një konflikt të ashpër fizik, vetëm disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Konflikti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi. Ndërhyrja në kohë e forcave të Policisë bëri të mundur neutralizimin e palëve të përfshira në konfliktin që mund të ishte mbyllur edhe me shkrepje pistolete.
Sipas Policisë konflikti ka ndodhur në lokalin e E.Lashit. Ka qenë ish-polici Santiago Malko që ka shkuar në pikën e basteve të vëllezërve Lashi dhe është konfrontuar fizikisht me ta. Nga përleshja fizike, 26 vjeçari është plagosur lehtë, pasi është goditur me grusht në hundë.
Ish-polici ka qenë ai që ka tentuar të përdorë armën, madje duke goditur njërin prej vëllezërve me qytën e saj. Më pas dy vëllezërit kanë ndërhyrë dhe ia kanë marrë armën, duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës.