TIRANE

Prej një muaji vijon sërish historia e përplasjes për pronën në zonën e ish Bllokut në Tiranë. Mbrëmjen e djeshme Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit në Bashkinë e Tiranës ka tentuar sërish që në shkelje të vendimit të Gjykatës të prishë këtë truall. Por si është e vërteta e kësaj historie? Këtë e shpjegon për News24, personi që ka marrë me qera nga Ministria e Ekonomisë truallin në zonën e ish bllokut.

Artan Aliaj tregon me detaje të gjitha shkeljet e institucioneve. Duke filluar nga vendimi i gjykatëses Dhurata Balla, iniciativa e paligjshme e përmbarimit në kundërshtim me vendimin e gjykatës dhe deri tek veprimtaria e IMT-së së Tiranës që cilëson si objekt pa leje, një ndërtesë të ngritur që në kohën e komunizmit. Aliaj thotë se ka investuar po ndeshet me një sjellje brutale të të gjitha institucioneve.

“Në 2001 kam marrë me qira nga Ministria e Ekonomisë në përdorim një bar restorant ekzistues dhe një truall funksional. Në 2009 dalin disa pronarë trualli dhe nënshkruajnë një kontratë mes pronarit, meje dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku cilësohet se pjesa e truallit u kalon pronarëve. Unë për pjesën e truallit paguaj qeranë pronarëve. Ajo ka marrë një masë sigurimi për lirimin e truallit. Vendimi thotë liro truallin, por jo objektin. Në datën 6 ka ardhur IMT pa vendim dhe në datën 11 i kam çuar të gjithë dokumentet. Dje vjen një vendim nga IMT marrë nga inspektori Mariglen Qato në kundërshtim me ligjin për prishjen e objektit”- thotë Aliaj.

Artan Aliaj thotë së nuk ka asnjë problem me pronarët e tokës. Pretendimi i tij i vetëm është që t”i kthehet investimi mijëra euro që ka hedhur në objekt prej disa vitesh, duke u bazuar në një kontratë të rregullt.

“Trualli është i pronarëve dhe unë kërkoj investimin dhe të iki. Unë mendoj se pas kësaj është një politikan që na dëgjon tani dhe s’del. I them atij politikanit, të gjitha gjërat që janë private dhe mos ndërhyjë me pushtetin që ka duke bërë rolin e grabitësit”- thotë ai.

Në këtë situatë Pikëpyetjet për këtë akt janë disa:

Cila është baza ligjore ku mbështetet  IMT e Tiranës  për të shembur si objekt pa leje një ndërtesë të kohës së komunizmit?

Në  cilën praktikë apo rregullore mbështetet kur shkon për të shembur  objektin vetëm natën dhe jo brenda orarit zyrtar të punës?

A ka kompetenca ligjore IMT të ndërhyjë në një çështje pronësie që është duke u shqyrtuar në gjykatë?

Dhe mbi të gjitha, kush fshihet pas interesave private që arrijnë deri aty sa prishin një ndërtesë shtetërore për t”i hapur rrugë ndërtimit të një pallati në qendër të kryeqyetit?

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb